Rama: Dialog, vetëm sipas kushteve të mia
Pavarësisht se fjala dialog ka nisur të përdoret, duket se është ende larg dita kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Kërkesës së Kryeministrit Sali Berisha për dialog kreu i PS-së, Edi Rama, i është përgjigjur me një “po” që shoqërohej nga shumë kushte pas. Rama nuk pranon të heqë dorë nga kushti i panegociushëm për mazhorancën që është hapja e kutive, ndërkohë që i shton atij dhe kushte të tjera. Në një nga protestat e radhës në rrethet e Jugut, Fier e VLorë, Rama ka folur me gjuhë të ashpër ndaj qeverisë dhe Kryeministrit, duke kërkuar largimin nga pushteti. Ai tha se së pari Kryeministri duhet të kthejë mbrapsht fjalët e akuzat që ka thënë për opozitën. Duke iu referuar ftesës për dialog të bërë disa herë kohët e fundit nga Berisha, kryesocialisti tha: “Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës. Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, pa dyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti”. Duke mos harruar kushtin kryesor që po i mban jashtë Parlamentit 64 deputetët socialistë, ai shtoi: “Dialog? Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bika në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së. Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke u tallur me ndërkombëtarët, se me ne nuk tallen dot më”.