Kosova ka nevojë për ndryshim, e jo për vazhdim
Zgjedhjet e kaluara në Kosovë kishin indikatorë që me të drejtë de - legjitimonin atë që quhet epilog i suksesshëm i një procesi të rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike. Fakti se mbi gjysma e popullsisë nuk kishte dalë fare të votojë, rezultoi me institucione të brishta, të paqëndrueshme dhe me përfaqësues shpesh herë të kontestuar nga individë e grupe shoqërore, të cilët jo rrallë kritikat e tyre i bazonin pikërisht mbi faktin se të zgjedhurit nuk përfaqësonin zërin e as interesat e gjithë popullsisë së Kosovës. Preteksti i zërave të tillë ishte se "mbi gjysma e kosovarëve nuk kishte votuar për ta".
Mosdalja për të votuar është një problem serioz në shoqërinë e Kosovës së pas luftës, kurse reperkusionet e saj janë të mëdha dhe afektojnë jetën e secilit. Së pari, ato zbehin peshën e vendimmarrjes dhe të politikbërjes në vend, pasi mosdalja në votime e mbi 50 për qind të popullsisë nuk është aspak inspiruese e as inkurajuese për ata që janë zgjedhur. Pjesëmarrja më e madhe në votime do të ishte një busull më e saktë për ta, sepse para çdo veprimi, të zgjedhurit do t'i kishin më të qarta orientimet e shumicës, andaj edhe vendimarrja do të ishte dukshëm me e lehtë sesa që është aktualisht. Së dyti, mungesa e vullnetit të shumicës në proceset e shkuara zgjedhore, në veçanti në zgjedhjet e fundit, ka ndikuar në thellimin e mosbesimit dhe në shtimin e pakënaqësisë së qytetarëve me performancën e liderëve dhe të institucioneve të Kosovës në përgjithësi, si në nivelin qendror ashtu edhe në nivelin lokal.
Vërehet se pakënaqësia dhe mosbesimi në institucione dhe në liderë po rritet prej vitit në vit. Sondazhet tregojnë se shkalla e kënaqësisë me punën e presidentit ka shënuar rënie prej 23 për qind, asaj të kryeministrit për 24 për qind, kurse në krahasim me një vit më parë pesimizmi politik i kosovarëve shënoi rritjen prej 10 për qind. Rreth 46 % ose gati gjysma e popullsisë së Kosovës është e pakënaqur me zhvillimet politike! A thua janë këta pikërisht shumica e skeptikëve të cilët nuk dolën të votojnë më 2007?
Unë besoj se në zgjedhjet e kaluara njëri ndër shkaqet kryesore të mosdaljes së një numri të madh të qytetarëve në votime ishte pikërisht lëkundja e besimit të tyre në atë se çfarë (nuk) kanë bërë apo çfarë u kishin premtuar e nuk e kishin realizuar politikanët dhe partitë në përgjithësi. Fushatat elektorale tanimë janë shndërruar në poligone të garës për premtime. Kryeministri aktual, i cili para dy vitesh për 'joker' kryesor kishte premtimin ( e parealizuar në 80 për qind të Kosovës) "24 orë rrymë në ditë", gjatë 20 ditëve të fundit u premtoi investime që kapin shumën mbi 1 miliardë euro, banorëve të komunave që do të votojnë partinë e tij! Ai duket të ketë "harruar" se Kosova po ndërton demokraci e jo autokraci, e po ashtu duket të ketë "harruar" edhe parimin thelbësor - atë të jo diskriminimit; prandaj ndau elektoratin në dysh, duke përçuar qartë mesazhin diskriminues se "Unë (kryeministri i Kosovës) do të mbështesë (vetëm) komunat që votojnë kandidatin e PDK-së" ! Po e lëmë mënjanë kalkulimin e thjeshtë matematikor që mund ta bëj secili, për të parë se sa janë të realizueshme premtimet e shifrave kaq marramendëse, të cilat janë gati sa buxheti një vjeçar i Kosovës, por që Kryeministri ia premton 5 apo 6 komunave të saj.
Shtrirja e papenguar e varfërisë dhe e papunësisë, pastaj mungesa e investimeve të huaja, thellimi i korrupsionit, infrastruktura e varfër rrugore, furnizimi i mangët me ujë dhe problemet në komunikacion janë çështje të pazgjidhura që karakterizojnë dhjetëvjeçarin që po e lëmë pas. Nuk do mend, ato po prekin thellë dinjitetin e shumicës së kosovarëve. Zvarritja e gjetjes së zgjidhjeve, varfërimi i popullatës dhe pasurimi i shpejtë i një numri "pjesëtarësh" të elitave politike mund të jenë arsyet tjera që po rrisin skepticizmin dhe që po vrasin shpresat e qindra mijëra të rinjve se Kosova mund të zhvillohet dhe se brenda 11 mijë kilometrave katrorë të saj, do të hapen horizonte për një jetë të dinjitetshme. Të njëjtat probleme po përsëriten në vazhdimësi, si një refren kënge në kasetofonin e prishur, që nga zgjedhjet e para të pas luftës e deri më sot. Rrethanat e krijuara, pjesërisht nga mungesa e vizionit, lidershipit dhe e menaxhimit adekuat të institucioneve, kanë mbytur besimin dhe kanë vrarë shpresën e kosovarëve në votën. Pyetja është a kemi alternativë të dalim nga kjo amulli dhe nga skepticizmi që ka kapluar shumë kend?
Jam e bindur se po. Fundja si deputete e Kuvendit të Kosovës, nuk e kam obligim të mendoj vetëm për vitet e mandatit tim prej deputeteje, por edhe të sheshoj mirë të gjitha veprimet, duke përfshirë këtu edhe atë se si afektohen nga aksionet dhe vendimet e mia sot, gjeneratat dhe brezat e ardhshëm nesër. Unë jam e bindur se me 15 nëntor, mosdalja eventuale në vendvotime e qytetarëve të Kosovës do ta dëmtojë rëndë ardhmërinë e tyre. Do të afektojë edhe brezat e ardhshëm. Mosdalja do të linte peng zhvillimin e Kosovës dhe të komunave të saj edhe për një afat katërvjeçar. Koha kalon shpejt dhe mundësitë humben pa kuptuar. Katër vjet janë bllokim i zhvillimit.
Po përmend vetëm një rast: lideri i AKR-së z. Behgjet Pacolli, më 2002 kishte shprehur gatishmërinë që të investojë në një projekt prej 120 milionë eurosh. Kompania e tij kishte filluar punimet në ndërtimin e një qendre tregtare, rekreative dhe sportive e cila sot do të ishte më e madhja në Ballkan. Në vend që një akt i tillë të përshëndetej, komuna e Prishtinës merr vendimin për ndalimin e punimeve. Më këtë rast 2000 veta humbën mundësinë që të punësohen.
Rasti i sipërpërmendur është vetëm njëri nga episodet eklatante që dëshmojnë se sa janë të 'interesuara' institucionet e komunës së Prishtinës të nxisin zhvillimin dhe investimet private. E, motoja e fushatës elektorale të kësaj konjukturë politike ishte "Ne vazhdojmë"...
Personalisht nuk do të dëshiroja të shihja edhe katër vitet e ardhshme bllokimin e investimeve dhe shkurtimin e mundësive për zbutjen e papunësisë dhe të varfërisë.
Kosovës, e në veçanti Prishtinës i nevojiten ndryshime e jo vazhdime. Prishtina ka nevojë për punë. Prishtina ka nevojë për zhvillim. Prishtina ka nevojë për menaxher të suksesshëm si kandidati i AKR-së Vegim Gashi. Profesori universitar i elektroteknikës, një individ modest dhe modern, i kulturuar dhe i njerëzishëm, vjen nga një përvojë e gjatë dhe shumë e suksesshme menaxhimi. Prishtina dhe Kosova kanë nevojë për të tillë njerëz. Por të tillët nuk do t'ia dalin matanë nëse të rinjtë, gratë, pensionistët, arsimtarët, rrinë mënjanë.
Do të ishte gabim I rëndë për të gjithë ne, nëse votohen njerëz të cilët patën rastin të sprovohen e që na zhgënjyen. Kosovarët tanimë kanë mbërrirë shkallën e ndërgjegjes që të kuptojnë drejtë sa jetike për të gjithë ne është zëvendësimi i individëve të cilët për dhjetë vite rresht në fokus kishin interesat personale, me njerëz të punës dhe të zhvillimit. Koha është të vihen në sprovë breza të ri politikanësh, njerëz që do të përqendrohen në zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Këtu nuk është çështja a është dikush për LDK, PDK apo është kundër tyre, për apo kundër kryeministrit Thaçi apo presidentit Sejdiu. Çështja është si mund ta fitojmë demokracinë dhe si mund ta ndërtojmë një Kosovë të re pa ngarkesat e energjive negative që mund të na shmangin nga rruga e zhvillimit.
Për arsyet e sipërpërmendura dhe për shumë arsye tjera që nuk do të doja ti rreshtojë këtu, ftoj të gjithë bashkëqytetarët e mi, gratë, nënat, motrat të rinjtë që të ngrihen në mëngjesin e 15 nëntorit dhe dëshmojnë se duan një Kosovë ndryshe. Ne nuk kemi deklaruar asgjë që nuk mund të arrihet; e gjitha që kërkojmë është që njerëzit të marrin fatin në duart e tyre me mjetin më demokratik, me një votë të përgjegjshme dhe të menduar mirë.
************
(Autorja është deputete në Kuvendin e Kosovës)