Kosova ka talente

Njëzetepesë talente nga Kosova dhe diaspora, nga njëzetetetë sa ishin paraparë, janë mbledhur të hënën në Kastriot, në kampin që e ka organizuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Futbollistët e grupmoshave U-17 u grumbulluan në stadiumin e KEK-ut dhe punuan nën urdhrat e selektorit të kësaj kategorie, Dzemal Mustedanagiq. Futbollistët nga klube të ndryshme kosovare, por edhe nga jashtë, e kanë zhvilluar një ndeshje miqësore në mes vete, ku boshnjaku e pati mundësinë të njihet me kualitetet e tyre.
Ish asistenti i selektorit Josip Kuze është ndarë i kënaqur me atë çka pa të hënën, por beson se një pasqyrë më të qartë do ta ketë pas grumbullimit të dytë të futbollistëve, që është paraparë të bëhet të martën (sot), duke filluar nga ora 13:00.
“Sot shkoi mirë. Me rëndësi që futbollistët janë takuar, është një ide mjaft e mirë. Vendet nga ish-Jugosllavia gjithmonë kanë pasur talente dhe Kosova është njëri prej këtyre vendeve, që ka dhënë lojtarë si Cana, Dallku, Curri, Januzi, Ujkani etj”, deklaroi fillimisht trajneri boshnjak.
- “Ky grumbullim është mjaft i rëndësishëm për futbollin shqiptar, ngase ky vend ka perspektivë. E di se futbollistët kosovarë luajnë për disa vende tjera evropiane, por qëllim yni është që t’u ofrojmë mundësinë të luajnë për vendin e tyre – Shqipërinë dhe mos t’i lëmë të na ikin. Në Kosovë ka talente, të cilët mund të ndihmojnë të bëhet një Shqipëri e fortë”, vazhdoi Mustedanagiq.
Ai nuk e veçoi ndonjërin prej futbollistëve që i ka rënë në sy, pasi thotë se kur të përfundojë kampi, do të dalë me rezultate konkrete. Mustedanagic do të punojë me të rinjtë kosovarë edhe të sot me një stërvitje të përbashkët, para se t’i zgjedhë futbollistët në të cilët llogarit për përfaqësuese.
Ndërkaq, edhe pse pritej që këtë grumbullim ta vëzhgonte nga afër edhe selektori i Kombëtares A shqiptare, Gianni de Biasi, italiani nuk ishte i pranishëm në stadium.
Pas U-17, të mërkurën dhe të enjten do të jetë radha e futbollistëve të kategorisë U-19, me të cilët do të punojë selektori i kësaj grupmoshe të Shqipërisë, ish portieri i njohur shqiptar, Foto Strakosha. Në kategorinë U-19 priten të grumbullohen rreth 30 futbollistë nga Kosova dhe diaspora.