Cana do të kthehet në Marseille

Lorik Cana ka lënë gjurmë në futbollin francez. Futbollisti kosovar ka kujtime të mira te tifozët e Paris Saint Germain, por edhe tek ata të Olympique Marseilles, pasi që luajti në këto dy skuadra. Por, përfaqësuesi shqiptar nuk ka dyshim se cilën fanellë do ta preferonte.
Madje 28 vjeçari e konsideron një rikthim të mundshëm në Stade Velodrome. Ai thotë se momentalisht ndihet mirë në Lazio, por në të ardhmen nuk e përjashton mundësinë që të rikthehet në Marseille, ku kaloi momentet më të mira të karrierës.
“Ndihem marsejez dhe do ta bëj këtë deri në fund. Njerëzit nuk e kuptojnë kalimin e një lojtarit prej një ekipi në tjetrin. Jam krenar që kam luajtur në një klub si PSG, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të shkoj në Marseille. Në Turqi të shkosh në Fenerbahçe nga Galatasaray është e vështirë”, deklaroi futbollisti shqiptar për Canal +.
- “Më pëlqente Marseille qysh kur isha i vogël. Për mua është klubi më i madh në Francë. Bëhet fjalë për një fanellë që m’i ka dhuruar kënaqësitë më të mëdha si futbollist profesionist. Është e sigurt se do të kthehesha me gjithë qejf në Marseille. Duhet të kthehem dhe ta ndihmoj klubin”, shtoi ai.
Por, ish futbollisti i Sunderlandit dhe i Galatasarayt ende nuk e ka të qartë se kur do ta bëjë rikthimin, pasi që ka kontratë ende me Lazion dhe dëshiron të kontribuojë për ekipin italian, që t’i arrijë objektivat.
“Rikthimi në Marseille është një opsion, në një të ardhme të afërt apo të largët, por ndoshta nuk do të ndodhë fare, nuk e di. Por, dëshira ekziston. Jam i lidhur me këtë fanellë, të cilën nuk e ndiej më afër në asnjë klub tjetër”, shtoi futbollisti gjakovar.
Cana nuk e ka siguruar një vend titullari në Lazio, ndërsa më pas e përshkoi një lëndim në shpinë, që nuk e la të luante në vazhdimësi në vitin 2012. Ai ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje këtë sezon dhe kjo mund të bëjë që Cana ta ndërrojë mjedisin sezonin e ardhshëm.