Kosova kundërshton bisedimet me Serbinë

Institucionet e Kosovës kundërshtojnë përfshirjen e Serbisë në bisedime për çështje të brendshme të vendit. Ndërsa administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është në kërkim të gjetjes së mundësive për një dialog teknik mes Prishtinës e Beogradit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës e kundërshtojnë përzierjen e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se Serbia nuk ka të drejtë të interesohet për zhvillimet në Kosovë. Ai tha gjithashtu se do të ishte në interesin e Beogradit që të mos tentojë të cenojë sovranitetin e Kosovës. "Përvec interesave dhe vlerave euroatlantike, asgjë nuk mund të kemi të përbashkët me Serbinë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë të interesohet për zhvillimet në Kosovë. Përkundrazi, është me interes që Beogradi të mos pretendojë të cenojë sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës", është shprehur Hashim Thaçi. Ndërkohë, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka kundërshtuar çdo formë dialogu me Serbinë për çështjet e përcaktuara si teknike, përderisa ky vend nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeparlamentari Krasniqi i ka dërguar mesazhe edhe UNMIK-ut. Sipas tij, qëndrimet dhe vendimet politike në, dhe për Kosovën i marrin vetëm institucionet vendore. "Të gjitha qëndrimet dhe vendimet politike në Kosovë janë të institucioneve të Kosovës dhe për këtë duhet të binden të gjithë. Kosova është njohur nga mbi 50 vende dhe në këtë drejtim institucionet kosovare do t'i marrin të gjitha përgjegjësitë për të gjitha zhvillimet, qofshin politike apo të natyrave të tjera, me cilindo vend të rajonit apo edhe të botës", theksoi Krasniqi. Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se roli i UNMIK-ut tashmë është i tejkaluar dhe nuk mund të shihet më si i denjë që të organizojë takime të tilla. UNMIK-u kishte thirrur një takim për ditën e martë, ku Prishtina dhe Beogradi ishin parashikuar që të diskutonin në nivele të ekspertëve për çështje të trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Mirëpo, një takim i tillë nuk është mbajtur. Institucionet e Kosovës thonë se UNMIK-u do të marrë përgjigje negative edhe për fushat tjera, për të cilat synon të organizojë bisedime, siç janë policia, gjykatat, doganat e fusha të tjera, të cilat nga Prishtina zyrtare konsiderohen si çështje të brendshme të Kosovës.