Berisha-Mesiç:Kroacia do heqë vizat për shqiptarët brenda 2009-ës

Kroacia do të heqë vizta me Shqipërinë brenda vitit 2009-të. Ky ka qenë premtimi që ka marrë kryeministri Berisha nga presidenti kroat Stipe Mesiç në takimin dy palësh. "Kroacia do të heqë vizat me Shqipërinë brenda 2009-ës", deklaroi Mesiç. Duke u ndalur te vullneti i dyanshëm për bashkëpunim të ngushtë politik dhe ekonomik, presidenti Mesiç vuri në dukje se "po punohet për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, dhe konkretisht për transportin detar dhe atë ajror".
Ai konfirmoi se "pala kroate po punon për përfundimin e autostradës Trans-Adriatike, si një urë lidhëse midis Europës dhe Ballkanit Perëndimor". Sipas tij "përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për të realizuar atë".Gjatë takimit, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që presidenti Mesiç ka dhënë ndaj aspiratave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet, gjatë gjithë karrierës së tij politike. "Popujt tanë kanë një miqësi historike dhe ata së bashku po përjetojnë ngjarjen historike më të madhe, anëtarësimin në NATO, si fryt i një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi midis kombeve dhe qeverive tona", tha Berisha.Lidhur me integrimin europian, kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se "Shqipëria e sheh me shumë interes anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Europian". "Kroacia e meriton atë, sepse i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret. Anëtarësimi i Kroacisë është i domosdoshëm për integrimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit", tha Berisha.