E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova mban frymën deri ditën e nesërme

Mbyllet fushata, nis heshtja zgjedhore. Para kutive, 1 milionë e 630 mijë zgjedhës

Fushata më e shkurtër zgjedhore, e imponuar nga ligji zgjedhor dhe Kushtetuta, është përmbyllur dje. Në orën 24.00 ka nisur heshtja zgjedhore dhe kandidatët e zellshëm të 29 subjekteve të certifikuara për të kërkuar votën e qytetarëve gjatë dhjetë ditëve të shkuara, do të bëjnë një ditë (me natën) pushim, që të dielën të shohin se çfarë kanë mbjellë. Partitë dje kanë mbajtur tubimet e tyre përmbyllëse në disa qendra të Kosovës, shumica në Prishtinë. Ndërkohë, dje ka mbërritur edhe ekipi i vëzhguesve të rrjetit të organizatave europiane për monitorimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, qendra e numërimit të votave premton transparencë gjatë procesit të numërimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nëpërmjet një njoftimi bëri publike se numri i përgjithshëm i votuesve në Kosovë për zgjedhjet e 12 dhjetorit është 1 milionë e 630 mijë e 636 persona. Sipas njoftimit, votues të rinj janë 73. 288 persona, ndërkaq, në ditën e zgjedhjeve do të jenë 35 735 persona që do të mbushin 18 vjeç dhe do të kenë mundësi të votojnë në këto zgjedhje. KQZ-ja njofton po ashtu se, 34 521 votues kanë ndryshuar adresën e vendbanimit, kurse nga lista e votuesve, si persona të vdekur janë fshirë 6 165 veta. Komisioni i Pavarur për Media është përgjegjës për zbatimin e ligjit për zgjedhjet nga të licencuarit (subjektet transmetuese dhe ofruesit e shërbimeve programore), prandaj për të ndihmuar të licencuarit që të veprojnë në pajtim me ligjin për zgjedhjet, ka nxjerrë 3 udhëzues të cilët interpretojnë dispozitat për mediat gjatë fushatës së zgjedhjeve, të përmbledhura në kapitullin VIII të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Në prag të përfundimit të fushatës zgjedhore, KPM ka dërguar tek të gjitha subjektet transmetuese Udhëzuesin 3 të KPM-së për periudhën e heshtjes së mediave, sipas të cilit: “Asnjë person ose media nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve”. Udhëzuesi 3 i KPM-së më tutje specifikon se: “Kjo ndalesë përfshin transmetimin e deklaratave të kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e përgjithshme, transmetimin e çdo aktiviteti të subjektit politik të certifikuar dhe deklaratat e pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore”. Periudha e heshtjes së mediave në këto zgjedhje fillon të shtunën, më 11 dhjetor 2010, nga ora 07:00, dhe përfundon me mbylljen zyrtare të vendvotimeve, më 12 dhjetor 2010, sqaron KPM-ja përmes një komunikate që arriti me rrugë elektronike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›