Serbët e veriut nuk lejohen të votojnë
Në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, në 13 qendrat e lëvizshme që janë hapur ekskluzivisht për banorët serbë, në kutitë e votimit janë hedhur vetëm 22 vota. Ky nuk është bojkot i serbëve ndaj zgjedhjeve të Kosovës, por serbët nuk kanë pasur mundësi të votojnë për shkak të frikësimeve dhe kërcënimeve që u janë bërë banorëve serbë, ka thënë një burim i gazetës me kusht të anonimitetit. Sipas tij, në veri të vendit, në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, nga strukturat kriminale serbe janë krijuar grupe prej 25-30 veta, të cilat kanë qëndruar në afërsi të vendvotimeve, duke kërcënuar dhe frikësuar ata serbë që kanë dashur të votojnë. Këto grupe, sipas burimit, janë formuar me urdhër të Policisë së Serbisë, komandantit të saj, Gjorgje Dragoviç, të ashtuquajturit kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç, kryetarit të DSS-së, Marko Jakshiq, si dhe nga krerët e Këshillit Nacional Serb. Në këto grupe kriminale kanë qenë të implikuar persona shumë të njohur për popullatën në veri të Kosovës që njihen si vrasës dhe kriminel dhe nga të cilët popullata serbe ka frikë. Zëdhënësi i PK-së në Mitrovicë, Besim Hoti, lidhur me këto grupe ka thënë se policia nuk ka informacione të tilla.