Protestë masive në Preshevë
Preshevë, qindra qytetarë janë mbledhur para gjimnazit “Skënderbeu” duke protestuar me moton: “Ndal dëbimin e trurit”. Kjo protestë u organizua nën udhëheqjen e organizatës për të drejtat e njeriut, e gjithashtu e përkrahur nga forumet rinore dhe organizata të tjera për të rinj. Në këtë protestë ishin të pranishëm udhëheqësit e pushteteve lokale si ai i Preshevës, Ragmi Mustafa gjithashtu edhe ai i Bujanocit, Shaip Kamberi; Jonuz Musliu, kryetar i kuvendit komunal në Bujanoc, kryetarë të subjekteve politike, Skënder Desani BDL, Rami Zylfiu, UDSH, të cilët përkrahën protestën kundër “Dëbimit të Trurit”. Qytetarët të cilët marshin e filluan që para shkollës së mesme ‘Skënderbeu’ e që vazhduan deri tek ish-tregu i gjelbër, në duar mbanin parulla: ”Duam njohjen e diplomave”, ”Qindra diploma mbeten të pavlefshme” e të tjera. Problemet për të cilat u protestua janë jetike për qytetarët dhe banorët e kësaj zone, që popullohet prej shqiptarëve etnikë. Ato janë të karakterit administrative, por në thelb përfaqësojnë edhe politikat diskriminuese që qeveria e Serbisë ushtron përmes indiferencës dhe mostrajtimit të tyre administrativisht. Çështja e diplomave, gjuhës etj., si dhe aspekte të tjera si dhe sektorë të tjerë të kulturës, do t’i dërgohen për shqyrtim dhe zgjidhje emisares europiane, Doris Pack.
Protesta e djeshme në Preshëvë ishte ndër më të mëdhatë dhe më masivet e organizuara në qendrën e krahinës. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të ndryshëm në këtë tubim dëshmon qartë ndërgjegjësimin e të gjithëve për një reagim unitar e solidar për çështje jetike dhe aspekte ekzistenciale të popullatës shqiptare në këtë zonë, e cila prej disa vitesh po përjeton një rrjedhë shpopullimi dhe ekzilimi në vise të ndryshme të Europës.