Kosova mbetet pa kryetar
Problemet në Kosovën e Vushtrrisë nuk kanë të ndalur. Ekipi bardh e kaltër as sivjet nuk po e gjen qetësinë. Tani vushtrriasit kanë mbetur pa kryetarin e deritanishëm, Agron Selimi.
Selimi të premten ka dhënë dorëheqje nga posti të cilin e mbante nga fundi i vitit të kaluar. Ai thotë se Komuna e Vushtrrisë e ka detyruar ta merr këtë vendim.
Sipas tij, ka qenë pikërisht Komuna e këtij qyteti ajo që e ka penguar jashtëzakonisht shumë për ta nxjerrë këtë skuadër njëherë e përgjithmonë nga telashet e shumta.
Ai kujtoi se përgjegjësinë mbi klubin vushtrrias e kishte marrë, pasi Komuna i kishte premtuar atij se brenda një periudhe shumë të shpejtë do ta aprovojë kërkesën e tij për ta privatizuar klubin dhe për ta marrë në shfrytëzim për disa vite stadiumin e këtij qyteti.
Selimi thotë se Komuna nuk e bëri një gjë të tillë, andaj ka vendosur të tërhiqet nga skuadra e njohur kosovare, e cila sivjet garon në Ligën e Parë të Kosovës.
“Po, është e vërtetë. Unë kam dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kosovës së Vushtrrisë”, deklaroi Selimi për Express të premten.
“U detyrova të jap dorëheqje, sepse Komuna më pati premtuar se do t’i aprovojë kërkesat e mia për ta privatizuar klubin dhe për ta marr stadiumin në shfrytëzim. Komuna më premtonte kot, herë këtë muaj do ta kryejmë, herë në muajin e ardhshëm e kështu me radhë. Në fund i pata thënë Komunës se në muajin mars dua të kryhet kjo punë. Ata më thanë në mars jo, por në prill. Me premtime të tilla jam ngopur dhe u largova”, shtoi ai.
Sipas tij, Komuna e zvarriti shumë zgjidhjen e këtij problemi, andaj Selimi pohon se për të ishte e pamundur të investojë në klub.
“Në stinorin vjeshtor i kam shpenzuar rreth 20 mijë euro në Kosovën e Vushtrrisë. Planifikoja disa investime të reja në stadium, por nuk mund t’i filloja punët kur çështja e stadiumit dhe e klubit nuk ishte e definuar me letra. Nuk kisha mundësi të investoja pa ditur se ku po investoj”, vazhdoi ai.
Mirëpo, kryesia e klubit nuk ishte aq e pëlqyer nga tifozët vushtrrias ‘Forca’, të cilët para disa javësh protestuan duke kërkuar largimin e anëtarëve të kryesisë. Mungesa e interesimit për t’u rikthyer në Superligë, mungesa e përforcimeve gjatë afatit kalimtar të dimrit, kushtet e rënda të lojtarëve dhe joserioziteti në stërvitje kishin detyruar tifozët ta ngrinin zërin.
Selimi thotë se këto kanë qenë edhe objektivat e tij, por Komuna e ka penguar t’i realizojë. “Nuk ndiej se kam pas presion nga tifozët. Kam biseduar me ta dhe tifozët kërkonin rikthimin në Superligë. Më pëlqeu kërkesa e tyre, sepse kjo ka qenë edhe objektiv i imi. Por, i pamundur për t’u realizuar shkaku i premtimeve të kota të Komunës, andaj edhe u largova”, tha Selimi.
Ai bëri me dije se deri në fund të këtij kampionati do t’i lë buxhet klubit për t’i mbuluar shpenzimet elementare, derisa njoftoi se anëtarët e tjerë të kryesisë do ta vazhdojnë punën. “Deri në fund të kampionatit trajneri Besnik Kollari dhe anëtarët e tjerë do të mbesin, për hir të asaj që klubi mos mbetet i vetmuar. Shpenzimet elementare do t’i kryej unë, edhe pse jam larguar”, përfundoi ai.
Kosova gjendet në vendin e pestë të tabelës në Ligën e Parë me 26 pikë të tubuara, nëntë më pak sesa lideri, Drita.