E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova ‘mbulohet’ me flamuj, feston dy-vjetorin e Pavarësisë



Kosova feston sot dy-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Flamuj dhe posterë që reflektojnë frymën pro perëndimore janë vendosur kudo në kryeqytetin kosovar. Makinat, urat, dritaret janë zbukuruar ashtu siç i ka hije vlerësimit të ditës më të bukur historike për vendin e ri. Prishtina ka përgatitur një program të ngjeshur festimesh për sot. Paradite do të mbahet mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës dhe një program artistik i përgatitur nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. Ndërsa në mesditë në sheshin “Nëna Terezë” marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të kryeqytetit. Ndërkaq nga aktivitetet sportive do të zhvillohet ndeshja e futbollit Kosovë-Shqipëri. Në orët e mbrëmjes (20:00) fillon programi qendror, ku para hotelit “Iliria”, do të paraqiten solistë dhe grupe të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese, dhe kryetari i komunës Isa Mustafa do t’i përshëndesë të pranishmit, duke uruar dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në dyvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka marrë mesazhe urimi nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Lartmadhëria e saj, Elizabeth II, Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano, Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl si dhe nga Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, znj. Doris Leuthard. Por mesazhet e para mbërritur para disa ditësh ishin nga Presidenti amerikan Barak Obama dhe ai gjerman, Horst Këhler. Kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi periudhën që nga viti 2008 deri tani, si një periudhë arritjesh historike për Kosovën. “Derisa para dy vitesh Kosova e shpalli Pavarësinë, e fitoi statusin e vendit të pavarur, sovran dhe demokratik, dhe sot lirisht mund të them se Kosova ka përfituar me perspektivën evropiane”, tha dje Thaçi për Radion Evropa e Lirë. “Dua të theksoj se kjo periudhë ka qenë periudha e vendimeve historike për vendin tonë, e shpalljes së pavarësisë, e konsolidimit të shtetit tonë, e vënies së ligjshmërisë, e angazhimeve të gjithanshme në kuptimin edhe të reformave, qoftë në politikë qoftë në ekonomi, qoftë në legjislacion, si dhe periudhë e perspektivës evropiane. Pra, Kosova është duke ecur në trendet e sigurta të angazhimeve integruese, edhe në NATO, edhe në Bashkim Evropian”, shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›