Arroganca e Berluskonit dhe servilizmi i Berishës
Blendi Kajsiu
Së pari duhet të kuptojmë se komenti i pacipë i Berluskonit në takimin me Kryeministrin tonë Berisha nuk ishte as batutë dhe as shaka. Në momentin që Kryeministri ynë po fliste për përpjekjet e Qeverisë shqiptare për të ndaluar trafiqet, Berluskoni tha se femrat e bukura nuk ka përse mos të trafikohen nga Shqipëria. Fjalë për fjalë! Një koment të tillë mund ta quash gjithçka përveçse batutë apo shaka, pasi në të nuk ka asgjë për të qeshur dhe asgjë sadopak inteligjente. Batuta ose shakaja nënkuptojnë ose lojë fjalësh, ose subversion të një ideje të pranuar, ose një paradoks, ose një kuptim të dyfishtë, e kështu me radhë. Asgjë nga këto nuk gjen në deklaratën e Berluskonit, përveç dëshirës së tij për femra të bukura, qofshin këto edhe të trafikuara.
Një pandjeshmëri dhe papërgjegjshmëri të tillë ndaj një fenomeni kaq problematik si tregtia e mishit të bardhë, natyrisht që të lë me gojë hapur, aq më tepër kur vjen nga nivele kaq të larta politike. E megjithatë më shumë sesa habi ndjen revoltë, pasi Berluskoni është i famshëm për gafat, papërgjegjshmërinë dhe stilin e tij maskilist të lidershipit. Në fund të fundit, ai është përfaqësues i një të djathte italiane, që shpesh ka treguar fytyrën e saj sa maskiliste aq edhe ksenofobike. Rritja e niveleve të racizmit në Itali, shoqëruar me dhunën ndaj emigrantëve, është pjesërisht edhe produkt i qeverisjes aktuale me në krye Berluskonin. Ndaj nuk habitemi që Berluskonit nuk ia ndjen për fatin e femrave shqiptare apo të Evropës lindore që trafikohen në Itali. Për të, si dhe për shumë meshkuj të tjerë që stimulojnë tregtinë e mishit të bardhë, ato janë thjesht një mall për konsum. E megjithatë revoltohemi kur shohim se ai është aq arrogant saqë e shpreh diçka të tillë haptas, përballë Kryeministrit tonë Berisha.
Ama ajo që të lë me gojë hapur është përpjekja e Kryeministrit tonë për të justifikuar Berluskonin me përralla të tipit ’ishin nja dy gazetare të bukura përballë që e eksituan Berluskonin’. Pra edhe një herë fajin për pacipërinë mashkullore ia veshim tërheqjes femërore. A thua se fakti që kishte përballë dy femra tërheqëse shqiptare justifikon budallallëqet që tha Berluskoni. Ndërkohë që nëse Shqipëria do ishte një shtet serioz, jo vetëm që Kryeministri ynë nuk do merrej me justifikimin e budallallëqeve të Berluskonit, por do kërkonte ndjesë publike nga ana e tij për një batutë që ofendon sensibilitetin e shumë qytetarëve shqiptar. Por fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk është një shtet serioz. Dhe midis ndjeshmërisë së qytetarëve të tij dhe miqësisë me Berluskonin, Berishës i intereson shumë më tepër kjo e dyta. Ndaj atij as nuk i shkon në mendje ta dënojë batutën e Berluskonit apo të distancohet prej saj. E megjithatë për hir të atyre qytetarëve shqiptarë, që çështjen e tregtisë së mishit të bardhë nuk e shikojnë si diçka për të qeshur pasi janë prekur prej saj në mënyrë direkte, minimalisht Kryeministri ynë thjesht mund të kishte heshtur, duke e anashkaluar batutën. Përkundrazi, ai zgjodhi ta justifikonte Berluskonin në një akt të pastër servilizmi.
Problemi është se kur shikon Kryeministrin tënd se me sa zell i serviloset Berluskonit, edhe kur nuk ia kërkon askush, fillon dhe shqetësohesh për çështje të tjera ku luhen edhe interesa të mëdha financiare. Aq më tepër përballë një vendi si Italia, që jo rrallë e ka parë Shqipërinë si një hapësirë ku mund të realizojë ato investime ndotëse që nuk i kryen dot brenda territorit të saj. Ndaj gatishmëria e kryeministrit tonë për të injoruar ndjeshmëritë lokale që t’i bëjë qejfin Berluskonit, jo vetëm të revolton por edhe të shqetëson. është një shqetësim që buron nga fakti se politikanët tanë, në përpjekje për të fituar përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, harrojnë se janë dhe duhet të mbeten përfaqësuesit tanë. Prandaj përpara sesa të shqetësohet për ruajtjen e reputacionit të Berluskonit, që e ka marrë lumi me kohë, Berisha duhet të shqetësohet për ndjeshmëritë e qytetarëve që ai përfaqëson. Sepse përpara sesa shok i Berluskonit, Berisha duhet të mbetet Kryeministri ynë.