Kosova me 1.733.872 banorë

Zyrtarë të Entit të Statistikave të Kosovës kanë bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1.733.872, duke përjashtuar Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton REL.
Numri përfshin regjistrimin në 34 komuna, proces ky i cili është kryer në muajin prill të këtij viti, por që ka hasur në rezistencë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Tash për tash nuk ka plane për ta bërë regjistrimin në veri të vendit.
Numri i banorëve që jetojnë në Prishtinë është 198.214. Këto të dhëna janë publikuar sot.
Këto të dhëna, të cilat janë rezultate paraprake, u publikuan në takimin e sotëm që Enti i Statistikave mbajti me gazetarë. Rezultatet përfundimtare do të publikohen vitin e ardhshëm, në periudhën maj - qershor.
Regjistrimi i fundit në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha etnitë, është mbajtur më 1981.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, Kosova kishte një popullsi prej 1,584,440 banorësh.
Sipas vlerësimit të vitit 1991, në regjistrimin e bojkotuar atëbotë nga shqiptarët, Kosova kishte 1,956,196 banorë.