E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova me vetëm 20 ambasada të hapura, opozita akuzon

Prishtinë, 8 gusht – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe opozita e kanë parë në mënyra të ndryshme punën e hapjes së ambasadave të Kosovës në vendet e botës. Derisa në MPJ kanë thënë se është “evoluimi i nevojave” ai i cili bën që institucionet e Kosovës të punojnë drejt hapjes së ambasadës në një shtet të caktuar, opozita është shprehur se institucionet e Kosovës i ka përshkuar papërgjegjshmëria edhe në aspektin e konstituimit të misioneve diplomatike, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Qëkur Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, atë e kanë njohur gjashtëdhjetë e nëntë vende anekënd botës, kurse misione diplomatike të Kosovës në nivel ambasade janë hapur vetëm në njëzet vende dhe jo edhe në dyzet e nëntë të tjera. 
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora çitaku, i ka thënë gazetës të shtunën se dalja në sipërfaqe e një nevoje të caktuar bën që të vendoset për hapjen e një ambasade në një shtet të caktuar. Ajo ka treguar se, përveç njëzet vendeve ku janë të hapura ambasadat, Kosova është në prag të hapjes edhe të tri të tjerave.  
“Presidenti, në konsultim me kryeministrin, ka vendosur që Kosova të hapë ambasadat edhe në Portugali, Kolumbi dhe në Mal të Zi, çka besojmë se këto misione diplomatike do të hapen së shpejti, ndërkohë që misionet e tjera do të hapen varësisht nga evoluimi i nevojave”, ka thënë ajo. çitaku nuk ka qenë në gjendje t’i shmangej formulimit “shumë shpejt” për të treguar se kur konkretisht Kosova do të bëhet me misione diplomatike në këto tri vende.
“Nuk mund të jap detaje të tjera, por mund të them që vendimi tashmë ekziston nga ana e presidentit dhe e Qeverisë për këto misione, por duhen ca përgatitje që duhet t’u paraprijnë hapjes së misioneve”, ka thënë ajo.
Mirëpo, Aleanca Kosova e Re, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë janë shprehur që institucionet e Kosovës duhet të tregojnë më shumë seriozitet në raport me ushtrimin e diplomacisë dhe hapjes së ambasadave në botë. (Gjërësisht mund të lexoni në botimin e sotshëm të gazetës Koha Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›