E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova mes intrigave

Libri "Kosova mes intrigave" përmbledh një cikël analizash, disa prej të cilave, me shkurtime, janë botuar në shtypin e përditshëm në Shqipëri, Kosovë dhe në shtypin e huaj. Ato fillojnë nga muaji maj 2005, kohë kur SHBA-ja ndërmori nismën diplomatike për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës. Duket, pas nismës amerikane dhe mediatizimit të saj, kanë nisur menjëherë reflektimet e autorit, i cili, nëpërmjet disa shkrimeve, ka synuar sensibilizimin e opinionit, të medias dhe sidomos klasës politike shqiptare për rëndësinë e papërsëritshme të momenteve që po kalonte Kosova. Mesazhi kryesor ishte se shqiptarët nuk duhet të humbitnin momentin historik si herë të tjera, pasi "treni" amerikan dhe ai evropian nuk mund të qëndronin gjatë në stacionin e kombit shqiptar. I lidhur shpirtërisht me Kosovën, për shkak të prejardhjes, të tragjedisë dhe shpërnguljes së dhunshme të paraardhësve të tij, autori e ka ndierë si obligim moral dhe intelektual vënien në shërbim të zgjidhjes së çështjes së saj tërë përvojën e përfituar në vite në fushën analitike në disa agjenci ligjzbatuese dhe të sigurisë kombëtare. Duke shfrytëzuar shumë burime, janë grumbulluar, studiuar dhe analizuar shumë fakte e prova, të cilat hedhin dritë mbi intrigat dhe kurthet e sotme serbo-sllave kundër pavarësisë së Kosovës, të cilat nëpërmjet shkrimeve i janë bërë të njohura menjëherë opinionit publik. Duke monitoruar dhe rishpërndarë disa nga këto analiza, Shërbimi Botëror i BBC-së dhe agjenci të tjera kanë mundësuar informimin e një publiku shumë më të gjerë se ai shqiptar. Në shkrimet analitike, duke përfaqësuar edhe pozicionin e "Qendrës Shqiptare të Studimeve për Sigurinë Kombëtare", të cilën autori e ka themeluar dhe drejtuar, nuk është bërë thjesht fotografimi i problemeve, por, në bazë të analizave shumëplanëshe, është arritur në përfundime bindëse për ecurinë e problemeve që lidhen me statusin e Kosovës. Për këtë është mbajtur qëndrim, duke u pozicionuar qartë dhe është ngritur zëri fort për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe të faktorëve të tjerë për këtë problem. Pa marrë pozicionin e një moralisti apo politikani, me modesti, autori ka bërë sugjerimet përkatëse në kohën e duhur për të kapërcyer me sukses intrigat dhe kurthet serbo-sllave për të ardhmen e Kosovës dhe sigurinë tonë kombëtare.

Botimet

Studimet e Carës

Pas poemës "Rrjedhin ujëvarat", Pjetër Cara ka sjellë në një libër artikuj të ndryshëm studimorë e letrarë. Rrëfimet e tij letrare nisin që nga "Malësori në dramën shqiptare", ku zbërthen dramën Përkolgjinajt e dramaturgut të njohur Kol Jakova. Më pas ai vazhdon me studime si "Për një teatër militant", "Mendime për dy romane të shkrimtarit Ferhat Cakaj", "Një manifest për gjininë femërore", "Mendime për katër studime gjuhësore", "Cilësia artistike dhe fryma popullore të mbështeten në tabanin kombëtar".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›