E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një histori me mbret

Rudina Xhunga: Çfarë ndodhi në 1913-ën, pse kërkohej mbret për Shqipërinë, e cila nuk ishte monarki?

Bejtullah Destani: Një prej vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve ishte që Fuqitë e Mëdha të zgjidhnin një princ nga oborret e shtëpive të mëdha të Evropës. Disa prej tyre filluan të lajmërohen në zyrat e Ministrive të Jashtme të Evropës, sidomos në Ministrinë e Jashtme të Anglisë, Vjenës, Romës dhe Parisit. Por, fuqitë kryesore që vendosën për princin e Shqipërisë ishin Vjena dhe Berlini.

Rudina Xhunga: Gjithsej erdhën 44 kandidatura. Por si bëhej kjo garë, konkurs, apo ç‘emër t‘i vëmë?

Artan Lame: Përtej pamjes së jashtme të këtyre personave, përtej faktit të prejardhjes së gjakut të tyre etj., faktorët politikë ishin vendimtarë, pra nuk shikohej se kush ishte më i pasuri, kush kishte vjetërsinë e familjes më të madhe, kush kishte më shumë fëmijë etj. Në Koncertin e Madh të Fuqive të Mëdha, pra të gjashtë Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, Italia, Gjermania, Anglia, Austro-Hungaria, Franca dhe Rusia, u vendos menjëherë që Shqipëria të kishte një princ nga Evropa. Fuqitë e Mëdha, që deri atëherë kishin rreth 10 vjet që ishin ndarë në dy grupe, u ndanë edhe kësaj here për këtë vendim, secili sipas interesave të tyre.

Auron Tare: Ideja dhe kërkimi i kandidaturave për një mbret të ardhshëm në Shqipëri kishte nisur më përpara se 1913. Ka disa dokumente, të cilat nxjerrin përpjekjet që bënë dhe njëri nga këta është Aladro Kastriota, i cili ishte një aristokrat spanjoll-italian, që pretendonte se vinte nga familja markeze e Auletës, që kishte marrë një fushatë goxha përpara 1913-ës, por në dokumentacionin që unë kam gjetur del një fakt shumë interesant, një fakt ky që u diskutua edhe në Amerikë. Duka i Abruzzo-s nga familja mbretërore italiane, do të martohej me vajzën e një senatori amerikan, i cili me atë humorin tipik amerikan mendonte se burri i vajzës së tij nuk do të ishte shumë i përshtatshëm thjesht pse ishte një aristokrat, pra ai do të shkonte në Amerikë dhe do të punonte si të gjithë xhentëlmenët amerikanë. Ndërkohë, në shtypin italian, por edhe në shtypin amerikan, flitej se në 1908-ën mendohej se Shqipëria do të bëhej mbretëri dhe duka e Abruzzo-s do të merrte fronin. Shtypi amerikan thoshte se Amerika për herë të parë do të kishte një mbretëreshë amerikane.

Bejtullah Destani: Dua të përmend rastin e Albert Gjikës, i cili kandidaturën e vet për mbret të Shqipërisë e fillon që nga 1911. Është një dokument që nënshkruan si kryetar i Komitetit Nacional të Indipendencës Shqiptare dhe disa dokumente i dërgon nga Podgorica e Malit të Zi, ku qëndron së bashku me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin për disa kohë. Albert Gjika është një kandidat nga Rumania, me origjinë të largët shqiptare, nga familja e Elena Gjikës, të cilët, sipas dëshmisë së Elena Gjikës, vinin nga Mirdita dhe në shekullin XVII u shpërngulën në Rumani. Përveç Albert Gjikës përmendet në shekullin XIX për herë të parë Gjergj Kastrioti Skanderbeg, princ i Duka i San Pietros, i cili përmendet edhe në kohën e Lidhjes së Prizrenit si kandidat i mundshëm për të qeverisur Shqipërinë dhe të jetë mbret i Shqipërisë. Përveç tij, gjatë lidhjes së shqiptarëve dhe luftës së lidhjes së shqiptarëve kundër malazezëve, Izet Pasha me origjinë shqiptare ishte kandidat i mundshëm për të qenë mbret ose princ i Shqipërisë. Sipas "New York Times" të qershorit të 1880-ës, Ali Pashë Gucia, i cili shfaqet me vendosmërinë e tij dhe luftën e pashmangshme kundër malazezëve, ishte një zgjedhje shumë e mirë si princ i Shqipërisë. Një tjetër kandidat është princ Preg Bib Doda, babai i tij kishte fituar titullin princ nga Papa i Romës në 1859-ën.

Rudina Xhunga: Le të flasim më hollësisht për kandidatët kryesorë. Nisim nga Aladro Kastrioti.

Bejtullah Destani: Aladro Kastrioti ka lindur në Spanjë më 1845-ën. Pozita e tij e fundit si diplomat spanjoll është si përfaqësues i mbretërisë spanjolle në Rumani. Sipas pohimeve të tij dhe të Faik Konicës, Gasper Mërkuri, Aladro kishte origjinë të largët nga ana femërore e Skënderbeut. Ai ka shpenzuar shumë lekë për çështjen shqiptare, ka prodhuar kartolina, propaganduar flamurin dhe këtë e ka nisur fillimisht për çështje shqiptare dhe e vazhdoi për interesa të veta, duke shkuar deri në mohim të origjinës së vet nga familja e Skënderbeut. Por ka shumë dokumente që vërtetojnë që Aladro e ka ndihmuar Konicën dhe shumë patriotë të tjerë për nxjerrjen e gazetave dhe propagandimin e çështjes shqiptare, madje ai ka sponsorizuar hartën e parë fizike, të cilën e ka vizatuar Faik Konica dhe u shtyp në 1909-ën në Bruksel.

Artan Lame: Në një farë mënyre, përzgjedhja e këtij princi ishte një farë tenderi, që jo se botohej në një gazetë dhe të gjithë kandidatët çonin diku në një sekretari kandidaturën e tyre me një CV të bashkangjitur. Në një farë mënyre ishte Konferenca e Ambasadorëve të Londrës ku u vendos që Shqipëria do të ketë një sovran dhe në këtë moment, kushdo që kishte një interes për këtë gjë, filloi të sponsorizonte apo të bënte politikën e vet që të binte në sy të Fuqive të Mëdha. Dikush mund të njihte një ambasador, dikush një princ, dikush një mbret, dikush botonte artikuj e kështu mundoheshin me të gjitha për të rënë në sy. I pari që e nisi ishte Don Giovani Castriota (Aladro Kastrioti), duke botuar kartolina me imazhin e vet dhe duke i shpërndarë në Shqipëri e nëpër Evropë. Ai nxirrte imazhin e vet i veshur me uniformë dhe me flamurin me shqiponjë. Kjo ishte një mënyrë sponsorizimi i vetes për t‘u njohur nga të gjithë, d.m.th. pak a shumë si fushatat e sotme. Ai shpërndante gjithashtu diploma, si një mënyrë për të pasur mbështetje dhe në këto diploma ai vinte firmën e vet në shqip dhe stema që vendoste mbi diplomë ishte një stemë e sajuar dhe nga kurora mbretërore ai kishte hequr kryqin, pasi dihej që Shqipëria ishte gjysmë myslimane e gjysmë e krishterë. E gjitha kjo, vetëm për të rënë në sy.

Bejtullah Destani: Unë kam gjithashtu një dokument, të cilin ai e firmos princ Kastrioti Skënderbeu dhe kjo është në shqip. Është një fakt i rëndësishëm. Aladro ka pasur një bibliotekë shumë të pasur në Paris, ku kanë qenë të gjithë librat që kishin të bënin me Shqipërinë, me Skënderbeun në të gjitha gjuhët, mirëpo fati i kësaj biblioteke nuk dihet, ndoshta është shitur. Kam një dokument tjetër, i cili daton në vitin 1922, ku Aladro proteston që të drejtën për qeverisje të Shqipërisë e ka Aladro Kastrioti dhe qeveria e imponuar me dhunë nga Ahmet Zogu. Për këtë ai jep një intervistë në gazetën "Novo Vremie" më 17 janar 1922, kohë kur ai e rikërkoi fronin.

Auron Tare: Pjesën interesante të zgjedhjes së mbretit të Shqipërisë e përshkruan shumë bukur Baron Nopsca, i cili edhe ai vetë ishte kandidat, por, sipas kujtimeve të tij shumë interesante, ai jep të gjithë atmosferën e 27 shkurtit deri më 6 mars të 1913-ës në Trieste, ku një pjesë e mirë e elitës së asaj kohe shqiptare mblidhen atje. Ka shumë prapaskena midis austro-hungarezëve, të cilët e donin këtë kongres të bëhej në Trieste, pasi aty i kishin nën vëzhgim të kujdesshëm italianët dhe fuqitë e tjera, pasi në këtë kohë Ismail Qemali ishte ende në krye të qeverisë së Vlorës. Në këtë kongres të Triestes ishte edhe një përfaqësues i qeverisë së Vlorës dhe n.q.s. ky përfaqësues do të kishte thënë se ne duam këtë kandidat, pra kandidatin e familjes së Burbon Orlanëve (Bourbon Orleans), duka Montpensier, ndoshta Shqipëria do të kishte pasur në krye të saj dukën Montpensier, i cili vinte nga një familje shumë e rëndësishme.

Bejtullah Destani: Baron Nopsca ishte përfaqësues i qeverisë austro-hungareze në Kongresin e Triestes, por Austro-Hungaria kishte paguar dhe organizuar të gjithë Kongresin e Triestes. Aty kanë marrë pjesë Fan Noli, Faik Konica, Dervish Hima. Në këtë kongres ishin mbledhur kandidatët më kryesorë dhe duka i Montpensier ishte një nga më seriozët.

Artan Lame: Ai vinte vërtet nga një familje e madhe, por jo aq e rëndësishme e Perandorisë Austriake dhe për më tepër nuk kishte ndonjë mbështetje nga Austro-Hungaria. Megjithatë, Baron Nopsca mbetet një figurë shumë e madhe për Shqipërinë, pasi ai shkroi shumë për Shqipërinë, është marrë me studime gjeologjie për Shqipërinë. Kishte plan të martohej me një amerikane të pasur, por si përfundim u martua me një shqiptare të Shqipërisë së veriut dhe kaloi një jetë ndryshe, duke përfunduar në vetëvrasje dhe vrasjen e të dashurës së vet.

Bejtullah Destani: Duka i Montpensier ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në përkrahjen e Ismail Qemalit dhe e ka sponsorizuar atë, e ka financuar, por e gjitha kjo bëhej që ky të konsiderohej kandidat serioz si mbret i Shqipërisë. Aktiviteti i Ismail Qemalit në Romë, Vjenë dhe Londër nuk ka të bëjë fare me Dukën e Montpensier. Lëvizja e Ismail Qemalit arriti në Londër në 1913-ën dhe ky aktivitet u organizua nga një kandidat tjetër, që është Aubrey Herbert, i cili në atë kohë kishte themeluar Komitetin Shqiptar më 1912-ën dhe ky i kishte organizuar të gjithë pritjen dhe organizimin në Parlament, takimin me lord Xhorxh, Isa Boletini gjatë gjithë kohës ka ndenjur në shtëpinë e Aubrey Herbert.

Rudina Xhunga: Një tjetër kandidat ishte Ahmed Fuad…

Bejtullah Destani: Ahmed Fuadi është një nga kandidatët që e njeh mjaft mirë Shqipërinë. Vjen nga një familje me origjinë shqiptare, nga familja e Muhamed Ali Pashës dhe babai i mbretit Faruk të Egjiptit. Dokumenti i vitit 1914 tregon se ambasadori në Romë e ka takuar Ahmed Fuadin dhe thotë se Ahmed Fuadi punon për këtë çështje mbi 20 vjet, pra në fund të shekullit XIX. Është një tjetër dokument ky që tregon se princi Ahmed Fuadi i ka dërguar një letër Edward Gray në 1913-ën, një letër konfidenciale. Të gjitha këto dokumente janë marrë nga arkiva e Londrës. Ka dhënë intervista edhe në shumë gazeta, ku tregohej shumë i informuar për çështjen shqiptare, sidomos në pjesën që ka qenë e kontestuar gjatë Konferencës së Ambasadorëve, pjesa e Kosovës që i kaloi atëherë Jugosllavisë.

Auron Tare: Ka dy arsye pse Ahmed Fuadi ishte një kandidaturë shumë serioze dhe shumë i informuar. E para, ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare, por duke qenë se ishte një degë, e cila për momentin nuk kishte mundësi të trashëgonte fronin e Egjiptit, pra ishte një person, i cili nuk do ta trashëgonte fronin, pasi ishte dega tjetër, jo dega direkt e Muhamed Aliut, por për shkak të vdekjes së disa personave të familjes, qëlloi që e trashëgoi ai fronin e Egjiptit. Ndërkohë, të mos harrojmë që kolonia shqiptare e Egjiptit ishte shumë e fortë dhe ishin edhe ata që kërkonin të kishin pretendentin e tyre në këtë garë. Pra, ai kishte mbështetje të fortë të disa prej shqiptarëve të kolonisë së Egjiptit. Princi Fuad ishte shumë i rëndësishëm, por problemi i tij ishte se vinte nga një fron mysliman dhe këtu mbylleshin dyert për të, sepse vendet e Evropës nuk donin që Shqipëria të kishte një princ mysliman.

Bejtullah Destani: Sipas ambasadorit italian, Ahmed Fuadi ka pasur përkrahjen e Italisë. Përfaqësuesi i Austro-Hungarisë në Kajro ka shkruar një letër jo shumë pozitive për Ahmed Fuadin, pra ka pasur përkrahjen e Italisë, por jo të Austro-Hungarisë. Sipas ambasadorit anglez në Romë, thotë që, n.q.s. Shqipëria do të ekzistojë duhet patjetër të sundohet nga një princ mysliman, dokument i protokolluar dhe shumë konfidencial në 1914-ën.

Rudina Xhunga: Po për sa i përket kandidaturës së Aubrey Herbert?

Bejtullah Destani: Aubrey Herbert është një kandidaturë tepër interesante. Ka lindur në 1880-ën, është djalë i lordit Kanavo. Në 1902-shin shkon për vizitë në Turqi dhe jetën ia shpëton një shqiptar nga Dibra. Ky e pyet çfarë mund të bëjë për ju dhe ai i përgjigjet që kur të shkojë në Angli të bëhet një njeri me rëndësi në Parlamentin anglez dhe të thotë dy fjalë të mira për Shqipërinë. Dhe Herbert ia dedikoi gjithë jetën Shqipërisë. Formon Komitetin Shqiptar në 1912-ën, organizon vizitën e Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Luigj Gurakuqit. Ka ndihmuar shumë delegatë të Konferencës së Londrës, të cilët nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë, por kanë qëndruar pranë, kanë dërguar memorandume, por nuk kanë pasur të drejtën të vendosin apo të diskutojnë. Herbert ka pasur shumë polemika me lobin grek në Londër, ka botuar shumë artikuj për masakrat që janë bërë në Çamëri në 1914-ën, ka botuar për këtë gjë shumë artikuj në "Daily News", "Times", "The Guardian", "The Telegraph". Në 1918-ën Komiteti Qendror me shoqatën anglo-shqiptare, cakton si kolonel të regjimentit shqiptar që të luftojë në luftën e Vlorës. Në luftën e Vlorës dhe Kongresin e Lushnjës është një prej anglezëve, i cili ka merita të jashtëzakonshme për organizimin e Kongresit të Lushnjës.

Auron Tare: Ka qenë shumë i lidhur me çështjen shqiptare, madje fliste edhe shqip, ka qenë oficer i zbulimit me qendër në Kajro, dinte turqisht, arabisht, pra ishte njeri shumë i përgatitur. Interesant është fakti që kur vdiq nëna e tij, Ledi Karnavon nga një familje shumë e rëndësishme e aristokracisë angleze, e cila ka qenë shumë e përfshirë në Shqipëri, ka ndërtuar për refugjatët kosovarë në fshatin Qerret në Kavajë ku ka qenë një fshat i vogël që quhej Herbert. Ndërkohë ka ndërtuar një bibliotekë të quajtur Karnavon, diku tek "Ali Demi", ka krijuar shoqatën për mbrojtjen e kafshëve, pra ka qenë shumë i përfshirë me çështjen e Shqipërisë.

Bejtullah Destani: Herbert ka qenë këshilltar në Konferencën e Parisit si përfaqësues i Vatrës. Ka pasur mik të jashtëzakonshëm Faik Konicën, sidomos Mehmet Konicën. Në ditarët e tij, që janë të pabotuar, flet për Ismail Qemalin e për Isa Boletinin dhe është mjaft kritik për këta të dy. I jep shumë të drejtë Mehmet Konicës, i cili, sipas tij, për meritat që kishte, meriton një vend në historinë e Shqipërisë. Ka qenë shumë i afërt me Durhamën dhe këta të dy kanë udhëhequr Komitetin e Shoqërinë Anglo-Shqiptare me ndihmën e disa deputetëve anglezë.

Artan Lame: Kjo është çfarë kanë bërë Karnavonët për Shqipërinë, tani le të themi se si ia shpërblyen shqiptarët këtë pasion dhe dashuri të tyre të pafund brez pas brezi për Shqipërinë. E para, në Qerret nuk ka asnjë shenjë nga ajo që ndërtuan dhe krijuan ata. E dyta, në Tiranë fondacioni dhe biblioteka "Karnavon", të cilës iu vu edhe rrugës ky emër, nuk ekzistojnë më. Rruga "Punëtorët e Rilindjes" më parë quhej rruga "Karnavon" sepse të çonte pikërisht te biblioteka "Karnavon" që ata ia kishin dhuruar bashkisë së kryeqytetit, madje e ndërtuan edhe godinën. Kjo godinë u kthye në kinema "Ali Demi", e cila natyrisht pas luftës u mbyll, rrugës iu hoq emri dhe tani, në vend që t‘i rivendosnim emrin Karnavon, i vendosëm emrin "Xhorxh Bush". Dhe, e fundit, për të shuar çdo shenjë që kishin këta njerëz kaq të mirë për Shqipërinë, edhe biblioteka, pra godina, sepse biblioteka u zhduk pa lënë gjurmë, e cila është pronë e fondacionit "Karnavon" së fundi i prish, u rrafshua me tokën dhe aty po ndërtohet një pallat. Jam kurioz të di se si nuk ka ndërhyrë Ambasada Angleze që të interesohet, sepse ajo nuk është një pronë e të parit që i del përpara dhe të shkojë e të bëjë pallat atje, sepse ajo është pronë e tjetërkujt.

Box

Shpallja në gazetën "Evening News", e përkthyer në shqip

Një kurorë që pret një anglez

Sot e tutje do të udhëheqë 800 000 shqiptarë

Toka e monedhës së artë

Nuk nevojiten politikanë për të vënë kandidaturën

"Pritet një mbret; preferohet një xhentëlmen anglez. - Kandido në Qeverinë Shqiptare". Është e vërtetë. Vendi romantik dhe piktoresk në Ballkan është një monarki pa monark dhe popullata ka një dëshirë të zjarrtë të drejtohet nga një anglez. Për momentin, kurora mbahet në mirëbesim nga një regjencë katërshe. Kurora nuk do t‘i jepet një politikani. Shqiptarët nuk u besojnë politikanëve, qofshin këta edhe të tipit britanik. Kandidatët duhet të jenë qytetarë xhentëlmenë, me qëndrim të drejtë dhe të interesuar në përpjekje për të ndjekur..... popullsinë, e cila është pothuajse tërësisht fshatare. Ky është një rast për disa fisnikë anglezë, të cilët kanë kuptuar....... paguar taksat e të ardhurave, për të ndryshuar pozicionin e tyre kritik, në një pozicion mbretëror-autoriteti dhe pasurie.

Monedha e artë

Një anglez që ka jetuar për një kohë në Durrës, kryeqyteti i vogël i Shqipërisë, ka deklaruar sot për "The Evening News" se anglezët janë vlerësuar lart në vend dhe se mund të ketë kremtime të përgjithshme, nëse një prej anglezëve do të marrë kurorën. "Nuk do të jetë e nevojshme që ai të mbajë të hapur një linjë të ...... në rast të një "gjallërie të sigurt në pjesën e subjektit të tij", tha ai, "sepse pas kryengritjes se fundit, qeveria ishte e suksesshme në çarmatimin e të gjithë popullsisë dhe një shqiptar pa pushkë është personi më i..........". "Monedha është tërësisht e florinjtë. Atje janë grumbulluar prej shekujsh monedha franceze, angleze, italiane, turke dhe monedha të tjera të florinjta dhe sot gjenden miliona të tilla në qytete dhe fshatra. Në malësi dhe në krahinat e largëta ato janë bërë pirgje prej dhuratave. Unë kam parë monedha të vjetra veneciane në pronësi të............ njerëzve. (........Të ardhurat, pagat, shpenzimet ???) e qeverisë që kapin shifrën e £800 000 në vit, të gjitha paguhen në flori. Në Shqipëri nuk ka banka dhe besoj se paratë e qeverisë mbahen në një kuti teneqeje. Ky është thesari i tyre. Numri i popullsisë shqiptare arrin në 800 000 dhe çdo mbret ..................... do ta gjejë ...... t‘ia kushtojë kohën e tij përparimit dhe zhvillimit të vendit.

(Pjesët e paplotësuara janë të padeshifrueshme në origjinal)

Kandidatët për fronin shqiptar

1880-1926

1. Princ Giorgio Castriota Scanderbeg, 1863 - ?

2. Izet Pasha

3. Ali Pashë Gucia, (në vitin 1880)

4. Esad Pashë Toptani

5. Princ Preng Bib Doda

6. Princ Gjin Aladro Kastriota 1845-1930?

(Njihet dhe me emrin Don Joan de Aladro y Perez de Valasco)

7. Princ Albert Gjika në Rumani, 1860- 1931

8. Princ Ferdinand Francois Bourbon, 1884-1924

9. Gioavani Battista Castriota Scanderbeg, 1847 - ?

10. Baron Franz von Nopsca 1877-1933

11. Princ Alphonse de Burbon

12. Princ Luis Napoleon

13. Princ Burhan Eddine 1885-1949 (Princ Ottoman)

14. Princ Abdul Medjid 1868-1944 (Princ Ottoman)

15. Princ Ahmed Fuad 1867-1936, nga Egjipti

16. Princ Arthur Duka i Connaught 1850-1942

17. Horatio Herbert, Ist Earl Kitchener (1850-1916)

18. Aubrey Herbert 1880-1823

19. William Carl 2nd Duka i Urach dhe Kont i Wurtemberg

1864-1928

20. Princ William i Suedisë, 1840-1965

21. Princ Roland Bonaparte 1858-1924

22. Princ Maurice von Schaumburg-Lipe 1884-1920

23. Princ Victor Emanuel, Kont i Turin 1870-1920

24. Princ Luiz, Duka i Abruzi 1873-1933

25. Marquis Joseph Ange Aurinetta

26. Princ Gustav Dekran, nga Libani

27. Princ Christopher, nga Greqia

28. James L Mackay, 1rë Earl i Inchcape 1852-1932

29. C.B.Fry - Lojtar shumë i njohur për Criket30. Duka i Atholl 1871-1942

31. Princ Nicolas, nga Rumania (1903-?)

32. James Strachey Barnes

33. Izet Pasha

34. Sir Charles Edward Watkin Hamilton 1876-1939

35. Lord Headley 1855-1935

36. William R. Tuddenham

37. Cap. Henry Stuart Crowe

38. J.F. Fraser Tyler

39. Princ Cyril of Bulgaria

40. Princ i Malit të Zi Mirko

41. General George Fraser Phillips (1863-1921 apo i njohur si Phillips of Scutari)

42. Princ Nikolaj Nemanjiq PALEOLOG

43. Princesha Patricia of Connaught (1886-1974)

44. Princ Omar Faruk, djali i sulltan Abdul Mexhidit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›