E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova miraton deklaratë për tërësinë territoriale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten një deklaratë me të cilën kërkon zbatimin e Kushtetutës në të gjithë territorin e Kosovës. Deklarata u miratua pas një debati rreth strategjisë së autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore për integrimin e veriut të vendit.
Përmes përplasjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës, Kuvendi u pajtua me një deklaratë për tërësinë tokësore të Kosovës dhe, siç thotë, domosdoshmërinë e zbatimit të Kushtetutës së vendit. Në deklaratën katërpikëshe, veç tjerash, Kuvendi thotë se garanton ruajtjen e tërësisë tokësore dhe pacënueshmërinë e kufijve, që sipas tij, janë të pranuar ndërkombëtarisht.
Deklarata e Kuvendit të Kosovës, që u miratua pas një debati shumë orësh, pasoi kërkesat e opozitës për të hapur diskutimin mbi një strategji të autoriteteve të vendit dhe atyre ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës. Strategjia, që thuhet të jetë hartuar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, por pa mbështetjen e Brukselit, synon vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri, krijimin e mirëbesimit në mesin e popullatës serbe dhe shuarjen e strukturave paralele serbe.
Autoritetet e vendit kanë emëruar së fundi, Ylber Hysën, si bashkërendues në zbatimin e strategjisë. Opozita e ka cilësuar strategjinë si të nevojshme për integrimin e vendit, por e ka kritikuar qeverinë e vendit për siç thotë, ngathtësi në zbatimin e saj dhe mos afatizimin e strategjisë. Strategjia është cilësuar e dëmshme nga autoritetet serbe në Beograd dhe një pjesë e serbëve lokal në veri të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›