Kosova në miniaturë

Regjisori Fadil Hysaj i është kthyer teatrit me një shfaqje të re. “Shtëpia në ankand”, e cila u dha premierë të hënën mbrëma në Teatrin Kombëtar, është shfaqje që tenton të portretizojë realitetin kosovar dhe raportin e shoqërisë kosovare me ndërkombëtarët.
Një ish-zyrtar i UNMIK-ut, Gonzalo, kthehet në Kosovë pas 10 vjetësh me misionin e ri të EULEX-it. Ai vendoset të banojë në të njëjtën shtëpi si dhjetë vjet më parë, e në zyrën që e bën aty punëson si sekretare vajzën e pronarit, Artën, njësoj sikurse nënën e saj, Havën, herën e parë. I zoti i shtëpisë, Nderimi, i bindur se duke i ofruar mikpritje Gonzalos bën gjënë e duhur për çështjen e Kosovës, zbret me familjen e tij të banojnë në katin poshtë te babai dhe dy vëllezërit e tij, njëri ish-luftëtar i papunë, e tjetri biznesmen i dështuar, i cili për t’i mbuluar borxhet e tij ka hyrë në një kredi bankare, duke e lënë shtëpinë hipotekë.
Gjendja acarohet më shumë kur në shtëpi vjen Veba, vëllai i tretë i Nderimit, i cili ikën nga spitali neuropsikiatrik dhe paraqitet si pronar i katit ku është vendosur Gonzalo dhe kërkon prej tij t’ia lirojë katin. Nderimi, për ta ruajtur raportin miqësor me Gonzalon, thërret spitalin që të vijnë ta marrin Vebën. Kur duket se qetësia po rikthehet, banka lajmëron se shtëpia e tyre do të nxirret në ankand, shkaku i moskthimit të borxhit nga Fitimi. Gonzalo për të ‘shpëtuar’ familjen e Nderimit shpreh gatishmërinë për ta blerë shtëpinë e tyre nga banka me zotimin se ata do të mund të vazhdojnë të jetojnë aty pa qira derisa të jenë të gatshëm ta blejnë shtëpinë prej tij.
Regjisori Fadil Hysaj u shpreh se kjo shfaqje flet për të vërtetën, të cilën shpeshherë ne nuk kemi dëshirë ta dëgjojmë. Ai shtoi se është Kosova e sotme e bartur në një familje. Sipas tij, ka ardhur koha për një trajtim më të mirë në Ballkan, e jo si monedhë kusuritjesh të politikave ndërkombëtare.
“Ndërkombëtarët na kanë bërë një shërbim të madh, kanë qenë njëherë në anën tonë dhe tash konsiderohet se ne duhet të jemi falënderues një shekull për këtë punë. Po shohim që kemi shumë probleme në këtë aspekt”, tha Hysaj. Ai theksoi se ka bërë një punë të mirë me këtë shfaqje. Sipas tij, nëse kjo shfaqje do të menaxhohet mirë nga Teatri atëherë do të ketë jetë të gjatë.
Ndërkaq, Emin Emini, drejtor artistik i TKK-së, u shpreh se ‘Shtëpia në ankand’ do të mbetet një shfaqje dokumentar i këtij realiteti.
“Profesor Fadil Hysaj, në mënyrë të guximshme, trajton raportin në mes të ndërkombëtarëve dhe shoqërisë kosovare. Regjisori këtu jep edhe një vetëkritikë për mënyrën se si po shkojnë gjërat në Kosovë”, tha Emini.
Ndërsa aktori Adem Zhitopotoku tha se është ndier i nderuar kur i është ofruar ky rol. Ai tha se kur është takuar me tekstin e Hysajt e ka parë një familje që vërtet e pasqyron Kosovën e sotme. Ndërsa, shtoi se në këtë shfaqje ka mësuar shumë nga Hysaj.
“Ka qenë një energji pozitive që e kemi mbledh rreth vetes. Profesori Fadil kërkon shumë nga aktorët dhe ka kërkuar nga ne që të hulumtojmë ende brenda vetes. Shkolla që ne e mësojmë në akademi dhe puna e profesorit Fadil janë shumë të përafërta, por në një moment janë edhe disa elemente që janë shumë me rëndësi për aktorin, që unë i kam mësuar në punën me profesorin”, tha Zhitopotoku.
Në shfaqje, përpos Zhitopotokut, luajnë edhe Zethane Gimolli, Afrim Kasapolli, Ard Islami, Muhamet Arifi, Kremtim Krasniqi, Driada Matoshi, Shpëtim Kastrati, Vedat Haxhiislami, Sheqerie Buçaj, Luan Daka, Igballe Qena, Alban Makolli, Naim Berisha, Asllan Hasaj dhe Vigan Nuza. Asistente e regjisë është Zana Hoxha- Krasniqi, skenografia është bërë nga Nuhi Hysaj, kostumografia nga Nora Qereti, ndërsa muzikën e ka bërë Ilir Osmani.