(Sub)versionet e Žižek

Tollovia e madhe në sallën e kinemasë nuk e pengoi zhvillimin e një diskutimi kualitativ për fundin e afërt të kapitalizmit, veçanërisht në Greqi, e cila po bëhet një “rast unik”, por edhe një vend inspirimi për shumë njerëz të pakënaqur me kapitalizmin neoliberal.
Moderatori, Srecko Horvat, për këtë temë gjeti dy bashkëbisedues të shkëlqyeshëm; filozofin slloven, Slavoj Žižek, dhe aktivistin britanik, Tariq Ali, përderisa i ftuari tjetër, italiani Gianni Vattimo, nuk u shfaq për shkak të gripit.
Žižek filloi menjëherë me provokim, duke theksuar se “vetëm komunizmi mund të shpëtojë BE’në”, derisa u pajtua me citatin e Antonio Gransci për “kohën e përbindëshave”, e cila shfaqet në kohën kur të vdes e vjetra ende pa lindur e reja. Si njëri ndër këta përbindësha, sipas tij, mund të konsiderohet edhe terroristi ultra-djathtist, Anders Breivik, i cili, në fakt, është “një sionist antisemit”, por që nuk duhet të përshkruhet edhe si një i çmendur, sepse ai “i ka thënë shumë gjëra që i mendojnë edhe të tjerët, por që s’guxojnë t’i thonë”. Kështu që, sipas Žižek, Breivik është interesant edhe për një analizë më të detajuar, meqë ai ka artikuluar lloj-lloj pozicione të heshtura të së djathtës ekstreme dhe fashiste.
Ndërkaq, për Tariq Ali më e rëndësishmja është ajo që po ndodh në Greqi, veçanërisht qëndrimi parimor i partisë majtiste SYRIZA, e cila refuzon t’i nënshtrohet diktatit financiaro-politik të Brukselit. Sipas tij, tani është i nevojshëm hapi i radhës, e që është pushtimi një qyteti të tërë, konsideron Ali, për të cilin shënjestra më e përshtatshme është Selaniku.
“Ky është vetëm fillimi i betejës”, theksoi Ali, derisa përkujtoi se demokracia kërkon një angazhim masiv. Megjithëse, meqë nuk mundet që gjithçka të vendoset vetëm përmes zgjedhjeve, “është i nevojshëm një presion i vazhdueshëm i të shtypurve”, por edhe veprime të tjera, në kuadër të të cilave nuk përjashtohen edhe metodat e dhunshme. Nga ana tjetër, sipas tij, “shkatërrimi i socialdemokracisë do të mund të sillte në pushtet të djathtën ekstreme”.
Sipas Ali, në këtë kontakt është simptomatik suksesi zgjedhor i Marine Le Pen në Francë, sepse ajo fitoi shumë vota nga ana e punëtorëve.
Gjatë debatit që zgjati një orë e gjysmë, u fol edhe për BRSS, për retorikën mediale në kohën e krizës, për Kinën, por edhe për paradoksin medial, kur vetëm një vit para krizës mediat kryesore lavdëronin pikërisht shtetet që u prekën të parat nga ajo (sikurse Irlanda, dhe shtete baltike). Mes tjerash, u përmend edhe Vatikani, të cilit Ali, e në veçanti Žižek, ia panë për të madhe që problemet politike dhe ekonomike i paraqet si morale.
“Si një protestant i mirë, besoj se Antikrishti tashmë ka zbritur në tokë, dhe se ai është vetë Papa”, nënvizoi qëllimisht Žižek, përderisa nga publiku u dëgjuan të qeshura në shenj aprovimi.
Festivali Subversive hyri kështu në javën e dytë të tij, me një atmosferë të mirë por edhe me pritjen e një veprimi konkret aktivist – i cili duhet të iniciohet gjatë Forumit Subversive. Megjithëse debati parahyrës i Žižek dhe Ali nuk doli të jetë edhe aq inspirues sa pritej.
TP