Kosova, nën kërcënim nga Brukseli dhe FMN
Prishtinë – Reuters. Kosova do të duhet të nënshkruajë një program ristrukturimi financiar me Fondin Monetar Ndërkombëtar me vlerë 110 milionë euro brenda qershorit, ose rrezikon të humbasë grante me vlerë 227 milionë euro, deklaroi ministri i Financave të republikës më të re të Europës në një intervistë. Bashkimi Europian ka ofruar 150 milionë euro, ndërsa Banka Botërore 77 milionë të tjera si mbështetje për programe zhvillimore, por i kanë kërkuar fillimisht Prishtinës të pranojë një program asistence nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Në mes të majit ne do të kemi një mision tjetër të FMN-së dhe pastaj do të mbyllim marrëveshjen”, tha ministri i Financave Ahmet Shala për agjencinë “Reuters”. “Ata do ta prezantojnë marrëveshjen te bondi i FMN-së në korrik dhe do të na japin një përgjigje”, shtoi ai. “Synimi ynë është të marrim 40 milionë euro këtë vit dhe 70 milionë të tjera më 2011-n, por këto shifra mund të ndryshojnë”.
Kosova nuk ka arritur një marrëveshje me FMN-në, pavarësisht vizitave të shpeshta të fondit në Prishtinë. Qeveria e Prishtinës ka refuzuar të heqë dorë nga planet e veta për të rritur pagat e administratës publike, si dhe nga projekti prej 700 milionë eurosh për të ndërtuar një autostradë. “Ne kemi nevojë për investimet publike në një kohë kur investimet e huaja dhe remitancat kanë rënë në të gjithë rajonin dhe mënyra e vetme për të mbuluar gropën janë investimet publike”, tha Shala.
Gjendja financiare e qeverisë së Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit, për shkak të rritjes së shpeshtë të pagave dhe investimeve të larta publike. Bashkimi Europian është donatori më i madh i Kosovës. Vendi ka jetuar veçanërisht falë ndihmave të huaja gjatë dekadës së fundit.