E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, marrëveshje me Prishtinën për shkëmbimin e energjisë elektrike

Plani KESH dhe KEK lidhin paktin njëvjeçar: E depozitojmë tani, e marrim në verë

Nisur nga sasitë e mëdha të energjisë elektrike që disponon aktualisht pala shqiptare, është menduar që një pjesë ta dërgojë në Kosovë, si rezervë për stinën e verës, ku prodhimi bie. Në kuadër të mirëmenaxhimit dhe shfrytëzimit sa më të mirë të kapaciteteve të prodhimit të energjisë në vend, si dhe furnizimin me energji të popullatës, Shqipëria e Kosova firmosën marrëveshjen në fushën e energjisë. Nënshkrimi është kryer dje nga drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku dhe kreu i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, Arben Gjukaj. Në bazë të marrëveshjes njëvjeçare, Shqipëria do shkëmbejë me Kosovën energjinë e tepërt elektrike dhe do ta rimarrë atë gjatë stinës së verës.

“Kjo marrëveshje u nënshkrua, pasi ne kemi sasi të mëdha prurjesh në periudhat e lagështa të vitit, e në këtë mënyrë do të aktivizojmë e prodhojmë maksimalisht energjinë elektrike”, tha Stojku. Shefi i KESH-it sqaroi se “ne bëjmë të mundur shkëmbimin e energjisë në kohën kur kontratat për shitjen e energjisë janë të vështira për t’u bërë njëditore ose dyditore”. Në këtë mënyrë KESH-i do të prodhojë energji me kapacitet maksimal dhe e shkëmben me Kosovën, atë pjesë që pala shqiptare nuk ka mundur ta shesë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara.

Marrëveshja njëvjeçare KESH-KEK zbatohet herë pas here sidomos në stinët me lagështirë.
Që nga muaji janar, KESH-i ka shkëmbyer me Kosovën rreth 100 milionë kilovat/orë energji elektrike, që më pas do të kthehen nga KEK-u në momentet e verës, ku ne mund të marrim afërsisht 1.5 milionë kilovat/orë në natë. Ndërkohë, kreu i KEK-ut, Arben Gjykaj, është shprehur se “kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme edhe për shkak të mosmarrëveshjeve që kemi me Serbinë për moslejimin e përdorimit të rrugëve transmetuese”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›