LMN, Blushi dhe Islami marrin pjesë në protestë
Protesta e djeshme e opozitës ka ofruar një panoramë politike bashkuese, imazhi i fortë politik i së cilës ka lënë në hije ndasitë që janë bërë pjesë e ditës në selinë rozë. Deputetët anëtarë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, Ben Blushi, Kastriot Islami dhe Arben Malaj, kanë qenë dje prezentë në tubimin masiv të organizuar nga opozita, duke u bërë pjesë aktive e vendimeve politike të shumicës në këtë formacion politik. Një Lëvizje për Mendimin Ndryshe dhe ende jo një Lëvizje për veprimin ndryshe; kështu do të mund të karakterizohet qëndrimi i LMN-së, që po e sheh veten të përfshirë në vorbullën e përgjithshme të ngjarjeve politike që e kanë vendosur opozitën përballë qeverisë së Sali Berishës. Deputetët Islami dhe Blushi kanë marrë pjesë edhe në mbledhjen e improvizuar të grupit parlamentar, nga i cili ka dalë edhe vendimi për aktivizimin e alternativës së grevës së urisë. Kronika e tubimit ka ofruar dje ndër të tjerra edhe elementë emocionalë të komunikimit mes deputetëve të LMN-së dhe pjesës tjetër që mbështet pa rezerva skenarin aktual. Diskutimi i mbajtur në mbledhjen e grupit është vijuar edhe përtej mes deputetit Kastriot Islami dhe Namik Dokles, në një pamje të parë të të cilit mund të përftohet ideja e debatit. Më i veçuar dhe më i distancuar ka qenë deputeti tjetër, Ben Blushi, që prej disa kohësh ka zgjedhur të heshtë ndaj vendimeve të fundit të Partisë Socialiste, që e ka kanalizuar aksionin e saj drejt lëvizjes së rrugës. Gjithsesi, pjesëmarrja e deputetit tjetër të LMN-së, Arben Malaj, në grevën e urisë, është një dëshmi se tradita e solidaritetit vijon të mbetet kartë e fortë e socialistëve edhe në këto momente, kur akuzat reciproke nuk kanë munguar të jenë prezente prej kohësh.
#