Kosova, nga sot anëtare e FMN-së, sinjal për anëtarësim të shpejtë edhe në Bankën Botërore

“Kosova nga sot (e martë) në mesnatë do të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, bën të ditur Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi. Guvernatori Rexhepi tha se në bazë të informacioneve që disponon është arritur kuorumi i nevojshëm që të merret vendimi për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Sipas Rexhepit anëtarësimi do të ndodhë të martën rreth orës 23.00, sipas kohës sonë, ndërsa sipas kohës amerikane votimi do të bëhet rreth orës 17 të mbrëmjes. “Unë jam shumë optimist mos të them 100 % që nesër kjo do të ndodh deri në ora 5 të pasdites sipas kohës amerikane do të përfundoj procesi votimit ne do ta kemi ora 11 e natës, kështu që unë jam i sigurt që Kosova do të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar në bazë të informacioneve që kam është arritur kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, tha të hënën Rexhepi. Ai tha se Kosova do t’ia arrijë të përmbushë detyrat e saj në këtë proces. “Absolutisht është interes i Kosovës dhe ne kemi shprehur interesimin, që të jemi anëtar të FMN-së dhe ne do t’i përmbushim detyrimet tona në favor me Fondin është bërë punë e madhe gjatë kësaj periudhe si në përgatitjen e legjislacionit në rregullimin e segmenteve të ndryshme, të standardeve të fondit, ashtu që në momentin e marrjes së vendimit në një periudhë 6 mujore të përmbushjes së detyrimeve tona. Shpresoj që pas këtij vendimi në një periudhë shumë të shkurt Kosova do t’i përmbyll gjitha detyrimet formalisht në raport me FMN-në”, tha Rexhepi. Anëtarësimi i Kosovës në këtë fond nënkupton që Kosova do të mund të anëtarësohet edhe në Bankën Botërore. Rexhepi të hënën ka marrë pjesë në një debat për liberalizimin e tregut të sigurimeve në Kosovë, dhe sipas tij askush nuk duhet t’i frikësohet, “liberalizimit të tregut të sigurimeve në Kosovë”. Ai tha se sistemi aktual i sigurimeve në Kosovë funksionon përafërsisht njësoj me kërkesat e Bashkimit Evropian për këtë veprimtari. Për profesorin e Universitetit “Pjetër Budi”, Ibish Mazrekun, në vitin 2010 mund të kalohet në një fazë tjetër të liberalizimit të tregut të sigurimeve në vend. Violanda Theodhori, Drejtore e Departamentit të Çështjeve Juridike, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (Shqipëri) tha se sfidë mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve ndaj klientëve, që është edhe kriter i politikave të Unionit Evropian.
...