Çështja "Hoxha",dëshmon ish oficeri i shikut në Lezhë
Ish -oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH) në Lezhë dëshmoi sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin për rrëmbimin dhe zhdukjen e bisnesmenit Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë. Gjatë dëshmisë para Gjykatës, Mark Frroku foli për një takim që kishte pasur në 1998 me njërin nga dëshmitarët e procesit, Ziso Kristopulli, i cili mendohet se është keqtrajtuar së bashku me Remzi Hoxhën në një bazë të Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), sot Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) në Vajin të Lezhës. Gjatë bisedës me të, Kristopulli më pohoi se ndaj tij ishte ushtruar dhunë psikike, tha Froku. Ai shtoi më tej se për këtë informacion, kishte vënë në dijeni Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH), të atëhershëm, Fatos Klosi. Për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e shqiptaro- maqedonasit Remzi Hoxha në 1995 në Tiranë, prokuroria akuzon katër ish- punonjës të (SHIK), Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.
...