E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poli i Urisë

Në radarin tonë vëzhgues, kohët e fundit, në valë të shkurtra, po hasim disa relikte të politikës shqiptare, që po rikthehen në sipërfaqe. Të pastruar nga llumi i djeshëm, sot ata paraqiten fringo, për të bërë politikë. Ndoshta edhe këta për politikë të re. Të kuptohemi, nuk është një anije fantazmë e mbytur në trekëndëshin e Bermudës, por po flasim për një anije politiko-mercenare-pirate, që ka marrë hua emërtimin, sot “Poli  i Lirisë”, e që nesër nuk dihet se çfarë logoje do të marrin. Sigurisht, ndonjë të ambalazhuar diku në oksident për të mbushur barkun apo hambarin me politikë. Ky relikt, ndonëse arkeologjik, nuk gjendet, jo që jo në trekëndëshin e Bermudës, në jug-lindje të SHBA-së, por as në mejdanin e deklarato-kracisë aktuale shqiptare. Madje, ku paraqitet si formacioni më i ri politik shqiptar. E keqja nuk ka kufi. Mirëpo: për të mos thënë se të re këta të “Polit të Lirisë” kanë vetëm ambalazhin e importuar nga Italia e Berlusconi-t, “Polo della Libertà”, duhet heshtur. Esenca është humbur gjatë kohës. Kohët kanë ndryshuar, njerëzit e polit të lirisë, hiç. Esenca u është ndryshkur, keq.    
Me pak fjalë, kësaj anijeje që shkon drejt e drejt Polit të Lirisë, i kanë hipur lloj-lloj njerëzish, si personalitete të rëndësishme intelektuale, si fondamentalistë kristianë e laikë njëkohësisht, madje s’kishte si të mos mungonin kusarët zhvatës. Neveri! E në qoftë se nuk mjaftonin, kemi edhe dy renegatë resatakë të PD-së: Meksi e Bakalli. I pari, profesor i mirënjohur, i dyti i mosnjohur, por që të dy në një barkë shpëtimi. Ndodh vetëm në Shqipëri që dy pole të njëjta intelektule të bashkohen, e nuk shtyhen, si në çdo vend të botës demokratike e liberale. Jemi një populli i jashtëzakonshëm, por do të më pëlqente të ishim njëherë normalë. Këta të Polit të Lirisë kanë uri të theksuar, të paparë - jo vetëm për të bërë politikë. Prandaj që sot e tutje do t’i quaj me neps “Poli i Urisë”.
Për ironi të fatit, farkëtuesi ideologjik i kësaj lëvizjeje purifikatore, Besnik Gjongecaj, aq sa shfaqet si një taumaturg i demokracisë në një shkrim tek gazeta “Tema” me titullin “Liria që sjell Poli i Lirisë”, duke na bërë leksion, na shtonte se njerëzit që e karakterizojnë PD-në sot, ngjajnë me “një xhelatinë, me atë veti të neveritshme të ngjitjes, ka tërhequr në çark lloj-lloj tipash, lloj-lloj interesash, lloj-lloj pseudo programesh, lloj-lloj përfaqësuesish, lloj-lloj profilesh politike, lloj-lloj aventurierësh, lloj-lloj maskarenjsh, lloj-lloj denonciatorësh”. Unë nuk e di, po më duket se këtu po flet ose për vetveten ose për ata rrotull tij, që në kontejnerin e Polit të Lirisë janë cilësuar si hipokrizia e dyfytyrësia e ringjallur në politikë. Nuk kanë faj. Thjesht, një rreng që nën-ndërgjegjja të luan sa herë del jashtë binarëve të dialektikës. E ku sidomos vetvetja, përtej atyre rretherrotull, të behet si pasqyra retorike e një urie për pushtet, apo për pushtim.
Përpjekja e tyre për të vjelur taksapaguesit shqiptarë edhe me ndërrim e gashtisje identitetesh, është me të vërtete fillimi i fundit të një politike të bërë kabare. Kjo amalgamë me trajta pothuajse folklorike (LZHK-qendër-tironse siç thotë Dashi, e PDK-katolike e veriore, plus renegatët), po kërkojnë të faktorizohet në qendrën e djathtë, duke u treguar si alternativë e PD-së. Por deri tani rremtarët e kësaj anije-rentiere s’po bëjnë gjë tjetër përpos të dalin nëpër televizione e medie, e të kërkojnë vota, sikur të ishte një copë bukë thatë. Sudja apo Xhaferri do të ishin më të besueshëm në sytë e qytetarëve, duke bërë politikë, sesa Poli i Lirisë. Nuk ka mëdyshje. Sepse alternativa programore apo ide qeverimi të tyre mund të perifrazohet fare shpejt me sloganin elektoral: “hiç e zhvatje”. Për fat të keq, linja politike e tyre është akoma “carpe diem - jeto me ditën”, pa tabelë  marshimesh në frontin e ofertës së shërbimeve publike ndaj qytetarit. Padyshim, do të firojnë me kohën, siç firon gruri kur thahet.
Hëpërhë “Poli i lirisë” është më të vërtetë diçka e tejkaluar për nga përzierja e eksperiencave politike: ku janë bashkuar xhaketa e pardesy të vjetra Tira(O)ne e inkuizicionistë të orës së fundit, që të vetmin kapital politik që kanë pasur e kanë është se kanë qenë të përndjekur e ish-pronarë, e që për të përndjekurin e ish-pronarët kanë bërë aq sa ka bërë Arianit Çela mbas komunizmit.
Pra, asgjë. Përkundrazi. Janë futur në një gatishmëri riciklimi politik gati për betejën elektorale. Partia Demokratike bën mirë t’i lejë vetëm këta legjionarë në fatin e tyre, sepse do të ishte një ngarkesë jo vetëm e tepërt, por do të ishte një gabim taktik. Mosmirënjohja është diçka që na karakterizon jashtëzakonisht ne shqiptarëve. Shpjegoj me një digresion largpamës: në romanin “Kështjella” Ismail Kadare, për të treguar se çfarë të keqe kanë shqiptarët në karakterin e tyre, shkruan e vë në gojë të Pashait, se shqiptarët janë shumë “mosmirënjohës”. Është tepër domethënëse e aktuale kjo gjetje e Shkrimtarit. Të cilën sot, në 2009, mund ta përkthejmë fare lehtë me amalgamën e “Poli-t të urisë”.
 Ne kemi frikë nga uria e këtij Poli, sepse uria të bën të hash e të pish ujë të çfarëdoshëm, duke mos dalluar idealet liberale nga parimet demokratike, duke mos dalluar fjalët nga pragmatizmi politik, prandaj duhet të kemi kujdes kur rrekemi të përballohemi nga propaganda politike e medieve shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›