E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bambi, kërcënon me largim

Bambi po ballafaqohet me krizë të madhe financiare. Shkaku i kësaj, kjo skuadër nuk do të udhëtoj të shtunën drejt kryeqytetit për tu përballur me Sigal Prishtinën. Madje, udhëheqësit e ekipit serb nga veriu i Mitrovicës kërcënojnë me largim nga Superliga, nëse nuk u del në ndihmë Ministra e Sportit. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 26 mars 2011 në ora 13:29

Bambi po përjeton krizë të madhe financiare. Shkaku i kësaj, skuadra serbe nga veriu i Mitrovicës të shtunën nuk do të udhëtojë drejt kryeqytetit për ta zhvilluar ndeshjen derbi të xhiros së njëzetedytë të BKT-Superligës së basketbollit ndaj Sigal Prishtinës.

Në fakt, basketbollistët e këtij ekipi nuk kanë dashur të udhëtojnë drejt Prishtinës për ta zhvilluar këtë takim, në shenjë pakënaqësie me faktin se klubi nuk i ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj tyre.

Andaj, Bambi ka bërë kërkesë në FBK për ta shtyrë këtë takim, kërkesë kjo që është aprovuar nga Komisari i Garave, Nazmi Paçarada.

Kryetari i këtij klubi, Miomir Dashiq thotë se lojtarëve të tij u ka borxh nga dy paga. Ai kërcënon me largimin e Bambit nga garat e Superligës nëse Ministria e Sportit nuk e ndihmon këtë skuadër për ta tejkaluar këtë krizë financiare.

“Ua kemi borxh nga dy rroga lojtarëve, andaj ata tashmë janë në bojkot. Presim që deri në fund të javës që vjen të na ndihmoj Ministria. Nëse nuk marrim ndihmë, atëherë do të tërhiqemi nga garat”, ka thënë Dashiq.

Sipas tij, kjo është kriza më e madhe me të cilën është ballafaquar ndonjëherë Bambi që prej themelimit të tij.

“Asnjëherë s’kemi qenë në krizë më të madhe. Kemi marr premtime nga Ministria, por asgjë deri më tani. Nga dy rroga ua kemi borxh lojtarëve, e po ashtu banesat dhe ushqimin për ta duhet paguar”, shtoi ai.

Shkaku i krizës financiare, Bambi as në xhiron e njëzetë nuk kishte udhëtuar drejt Prizrenit për t’u ballafaquar me Bashkimin. Përndryshe, Bambi njihet si skuadër që kur ka para luan në elitën e basketbollit kosovar, ndërsa tërhiqet prej garave kur mbetet pa to. Por, a do t’i lë Bambi edhe sivjet garat në gjysmë, mbetet të shihet...

Për dallim prej viteve të kaluara, në këtë kampionat ky ekip është treguar mjaft i fortë për shumë skuadra tjera të Superligës. Aktualisht Bambi gjendet në vendin e tretë të tabelës me 37 pikë të tubuara, tri më pak sesa lideri, Sigal Prishtina. Mirëpo, serbët i kanë dy ndeshja më pak të zhvilluara.

BKT-Superliga – Xhiroja e 22-të
E shtunë
Mitrovica – Trepça18:00
K. EuroSport – Peja19:00
E diel
Kosova – Bashkimi18:00
S. Prishtina – Bambi (është shty)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›