E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova pa asnjë produkt serb prej 3 javësh

PRISHTINE- Tre javë që nga zbatimi i masave të reciprocitetit, autoritetet përgjegjëse nuk kanë lejuar asnjë produkt serb të hyjë në tregun kosovar. Mallrat me origjinë nga Serbia nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë as nga vendet tjera të rajonit.

Autoritetet kosovare janë të vendosura që të zbatojnë në përpikëri masat e reciprocitetit. Edhe tri javë që nga aplikimi i këtyre masave, përfaqësues të doganave nuk kanë lejuar asnjë mall me origjinë nga Serbia të futet në tregun kosovar.

Me gjithë përpjekjet e shtetit serb që t’i shfrytëzojë vendet tjera të rajonit për futjen e mallit të tij në Kosovë, çdo gjë ka rezultuar pa sukses.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë se në ditët e para të aplikimit të këtyre masave, ka pasur disa tentime, por jo edhe më vonë.

“Të gjitha degët doganore janë udhëzuar që të kenë kujdes në këtë qasje. Faktikisht, për secilin mall që ka dyshime, bëhet edhe verifikimi fizik i tij”, thotë Stavileci.

Menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e futjes së mallrave serbe, kompanitë e Serbisë janë angazhuar që Maqedoninë ta shfrytëzojnë për eksportin e mallrave të tyre në territorin e Republikës së Kosovës.

Por, të gjitha këto mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht, thotë Stavileci.

Më 20 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa reciproke ndaj produkteve serbe, ndërsa taksë doganore prej 10% për produktet e Bosnjë e Hercegovinës.
(s.g/europaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›