Hysi hap dyert për Maliqin
Kampioni i Kosovës në futboll, Hysi me kujdes po i vëzhgon zhvillimet mes Prishtinës e Behar Maliqit, i cili është suspenduar nga drejtuesit e ekipit bardhekaltër për gjatë muaj.
Reprezentuesi i Kosovës nuk është paraqitur në stërvitjet e Prishtinës, pasi po pretendon
se klubi nuk e ka paguar për tre muaj. Për këtë, Maliqi ka kërkuar nga shtëpia e futbollit kosovar që t’i shkëputet kontrata me ekipin kryeqytetas.
Nëse kjo vërtetohet, atëherë, sipas rregullores së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) mbi statusin e futbollistëve, Maliqit mund t’i shkëputet kontrata dhe do të mbetet lojtar i lirë.
Nëse kjo ndodh, drejtuesit e Hysit pohojnë se menjëherë do të hidhen në aksion që t’i sigurojnë shërbimet e ish futbollistit të KEK’ut.
“Behari është një futbollist shumë i mirë. Nëse ai e shkëput kontratën me Prishtinën, sigurisht se do ta shqyrtojmë mundësinë ta angazhojmë në skuadrën tonë. Pra, ne bisedimet me futbollistin do t’i fillonim vetëm pasi situata mes tij dhe Prishtinës të pastrohej. Pra, atëherë kur Behari do të mbetej futbollist i lirë, ne do të bisedonim me të, për ndryshe nuk kemi mundësi”, ka deklaruar për Express kryeshefi ekzekutiv i bardhezinjve, Afrim Macula.
Në anën tjetër, as vetë Maliqi nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen ta veshë fanellën e ekipit nga Merdara. Mirëpo, prioritet i tij është vazhdimi i karrierës jashtë kufijve të Kosovës.
“Fillimisht dua ta pres vendimin nga ana e Federatës. Nëse e shkëputi kontratën me Prishtinën, atëherë prioritet imi mbetet të luaj jashtë Kosovës, sepse këtu jam i dëshpëruar dhe secilën herë futbolli po shkon duke marrë tatëpjetën”, tha Maliqi për Express.
“Fillimisht dua të bisedoj me disa ekipe nga Maqedonia e Shqipëria, që ishin të interesuara për mua qysh më moti. Nëse nuk arrij marrëveshje me to, atëherë do t’i shqyrtoj ofertat nga klubet e Kosovës dhe ofertën më të mirë do ta pranoj, sepse unë varem nga futbolli, andaj kam kërkuar ta shkëputi kontratën me Prishtinën”, përfundoi Maliqi, të cilin me bardhekaltrit kontrata e lidh deri në verën e vitit të ardhshëm.
Mesfushori 24 vjeçar viteve të fundit ishte ndër lojtarët më të dalluar në Kosovë, derisa dy herë u shpall futbollisti i dytë i vitit. Maliqi shpeshherë e ka bartur edhe shiritin e kapitenit të Prishtinës.