Rama: S'ka opozitë në Kuvend pa u hapur kutitë e votimit
Kryetari i PS-së tha se votimi tregoi mbështetjen e vijës së përcaktuar qartë në raport me zgjedhjet dhe Parlamentin e dalë prej saj
TIRANË - Votën plebishitare të socialistëve për ta rizgjedhur kryetar të PS-së, Edi Rama e lexoi dje si një mbështetje për të vazhduar jo vetëm rrugën e nisur, por edhe si një detyrim për të përmirësuar më tej funksionimin e Partisë Socialiste, në mbrojtje të interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve.
I sapozgjedhur në postin e kryetarit të PS-së për një mandat të ri katërvjeçar, Edi Rama deklaroi se fushata zgjedhore brenda partisë ishte një mundësi e shkëlqyer, jo vetëm për t'i folur anëtarësisë, por edhe për të matur pulsin e saj në këtë moment, siç e cilësoi ai dramatik për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë shqiptare.
"Votimi i së shtunës ishte shprehja e një vullneti të plotë të socialistëve e socialisteve të Shqipërisë jo vetëm në zgjedhjen e lidershipit të partisë për katër vitet e ardhshme, por edhe në mbështetjen e vijës së përcaktuar qartë në raport me maskaradën zgjedhore të 28 qershorit e me Parlamentin e dalë prej saj",- tha Rama.
Për këtë arsye, lideri i opozitës ka rikonfirmuar se PS-ja nuk do të jetë pjesë e Kuvendit në rast se nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. "Nuk ka marrëdhënie normale me këtë Parlament të dalë nga zgjedhje të grabitura, në qoftë se nuk na jepet e drejta për hetim parlamentar të pavarur të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi me këtë qeveri të dalë nga manipulimi, korrupsioni elektoral e mashtrimi publik i 83 mijë qytetarëve, që votuan largimin e Sali Berishës, në qoftë se nuk na njihet e drejta për të bashkëjetuar në këtë vend si të barabartë përpara Kushtetutës e ligjit dhe për t'i dhënë fund në Shqipëri shkrirjes së shtetit me pushtetin për qëllime elektorale, kërcënimeve të gjithanshme të qytetarëve opozitarë e të sipërmarrjeve private për votën, largimeve poshtëruese nga puna për hakmarrje politike, diskriminimit të opozitës në median publike apo cenimit të rëndë të konkurrencës në media",- tha Rama.
Ai shtoi se nuk ka Parti Socialiste të ulur në Kuvend, po vetëm opozitë të bashkuar, përtej të majtës e të djathtës, në këmbë në të gjithë Shqipërinë, në qoftë se të drejtën taksative që i jep forca e ligjit për hapjen e kutive të votimit vazhdon ta mohojë arbitrarisht "pushteti i politikës së vjetër të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos".
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përshëndetur edhe rivalin e tij në këtë ballafaqim idesh, Maqo Lakrorin, me të cilin edhe pse e ndajnë qëndrime të ndryshme, ai premtoi se do të bashkëpunoje me të për të integruar një sërë elementesh të dobishëm të platformës së Lakrorit në projektin e ri të reformimit partisë.
"Puna për këtë reformë do të nisë menjëherë duke përfshirë të gjithë anëtarësinë socialiste në një diskutim të gjerë, ku ftoj qysh sot edhe të gjithë ata joanëtarë partie që janë të interesuar për të nxitur ndryshime në fizionominë e në programin e forcës sonë të madhe", - shtoi Rama.