E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakrori: I bindem vullnetit të shumicës

TIRANË - Duke marrë mbështetjen e vetëm 6.7% të socialistëve në garën për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se, i bindet vullnetit të shumicës.


"Unë dëshiroj që të shpreh respektin tim për të gjithë socialistët, të cilët me vullnet të lirë dhe në dije të plotë të përmbajtjes dhe qëllimeve të të dy projekteve votuan me 26 shtator 2009 me një shumicë të qartë për projektin e z. Rama.


Unë uroj që aspirata e çdo votuesi socialist për nxjerrjen e së vërtetës mbi zgjedhjet e 28 qershorit 2009, për bashkimin e së majtës, për arritjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme e për fitoren e tyre, për fitoren e zgjedhjeve vendore 2011 dhe sidomos përdorimin e pushtetit në dobi të vendit, të bëhen realitet. Parimi themelor i çdo procesi demokratik është respektimi i vullnetit të shumicës.


Tashmë ky vullnet u shpreh me votë të fshehtë prandaj edhe unë, si çdo anëtar i PSSH-së, do të respektoj vendimin e shumicës, sigurisht, pa harruar për asnjë çast se e drejta dhe e vërteta verifikohen në dinamikën e ngjarjeve dhe në përpjekjen e pandalshme për progres dhe emancipim", - tha dje Lakrori, menjëherë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për kryetarin e partisë.


Lakrori ka shigjetuar dje edhe deputetët të përfshirë në lëvizjen e ashtuquajtur "Për mendimin ndryshe", duke i ftuar ata për reflektim. "Do t'i ftoja për reflektim individë të caktuar brenda PS-së dhe jashtë saj, të cilët për interesa të padrejta dhe shpesh edhe nga padija, bënë gjithçka mundën për ta cenuar këtë proces", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›