Kosova pranon programin e FMN-së
Qeveria e Kosovës pranoi mbikëqyrjen e financave të saj publike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pas kërcënimeve të BE-së për bllokimin e ndihmave në rast se marrëveshja nuk arrihej. FMN pranoi t’i japë Kosovës 106 milionë euro në 18 muajt e ardhshëm ndërsa Bashkimi Europian premtoi se do të vijonte programet e veta të ndihmave. Në këmbim, Prishtina zyrtare u detyrua të heqë dorë nga planet për rritjen e mëtejshme të pagave të administratës publike si dhe pensionistëve. Drejtuesi i misionit të FMN-së në Prishtinë, Jürgen Odenius, deklaroi se qeveria e Kosovës do të duhet të përshtasë shpenzimet e veta në raport me të ardhurat, në mënyrë që të ketë financa të qëndrueshme publike. “Qeveria ka pranuar të amendojë ligjin e financave publike me qëllim që buxheti i saj të jetë neutral”, tha ai duke nënkuptuar se Prishtina ka pranuar të mos dalë me deficit. Kosova ka shpenzuar gjatë viteve të fundit pothuajse të gjitha paratë që qenë kursyer në periudhën pas çlirimit nga Serbia në disa programe ambicioze infrastrukture publike, si dhe në disa valë rritjesh pagash dhe pensionesh, të cilat kanë qenë të kushtëzuara me vitet zgjedhore. Vitet e ardhshme pritet të jenë edhe më të vështira për shkak se Prishtina ka nënshkruar një kontratë me vlerë 1 miliard euro për ndërtimin e një autostrade nga kufiri me Shqipërinë për në kufi me Serbinë.
#