E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vëllim kritik për poezinë e Gëzim Hajdarit

Botimi Dymbëdhjetë studiues analizojnë krijimet e poetit shqiptar

Pas 20 vjetësh histori të letërsisë italiane të mërgimit, Gëzim Hajdari mbetet një zë i spikatur. I larguar nga Shqipëria në vitin 1993, përtej, botoi dhe vazhdon të botojë vëllime me poezi në të dyja gjuhët. Për poetin janë shkruar artikuj, janë dhënë mendime kritike, të cilat pjesërisht kanë ardhur për lexuesin shqiptar. Së fundmi, për poezinë e tij është botuar një vëllim me 15 studime, shkruar nga dymbëdhjetë studiues dhe profesorë të vendeve të ndryshme të botës. “Poezia e mërgimit: studime mbi Gëzim Hajdarin”, i përgatitur nga Andrea Gazzoni, Profesor në Universitetin e Oregonit në SHBA, vëllimi prej 330 faqesh shoqërohet me një parathënie të Fulvio Pezzarossa-s, profesor në Universitetin e Bolonjës. Simona Wright (Universiteti New Jersey); Franca Sinopoli (Universiteti La Sapienza Itali); Ugo Fracassa (Universiteti Roma 3, Itali); Fausto Pellecchia (Universiteti Cassino, Itali); Costantina Evanghelou (Universiteti Salonik, Greqi); Laura Toppan (Universiteti Nancy2, France); Viktor Berberi (Universiteti Minnesota, Morris, USA); Silvia Vanja de Pava, studiuese, Massimo Fabrizi, studiues dhe Luigi Manzi, poet, janë emrat e tjerë që kanë shkruar mbi poezinë e Gëzim Hajdarit. Ky është i pari vëllim kritik mbi një poet migrant me jehonë ndërkombëtare në Itali.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›