E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të pranojë heqjen e imunitetit

Kryeministri kërkon ndihmën e opozitës edhe ndryshimin e Kodit Penal

Partia Socialiste duhet ta kuptojë gabimin që ka bërë ndër vite dhe tashmë nuk duhet të hezitojë për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë në të gjitha pozicionet. Kjo ishte thirrja që bëri dje Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke e quajtur imunitetin si një nga pengesat kryesore në luftën kundër korrupsionit, Berisha e ftoi PS-në, të ishte hiqte dorë nga qëndrimi absurd për këtë mburojë të mbajtur shtatë vitet e fundit nga kjo parti. “Kur një opozitë kundërshton heqjen e imunitetit nuk ka veprim më absurd që mund të bëjë. Sot, uroj dhe dëshiroj, që Partia Socialiste të ketë kuptuar gabimin që bëri me refuzimin e ligjit”, deklaroi Berisha duke folur për draftin që pesë vite më parë është depozituar në Kuvend nga mazhoranca. Sipas Berishës, opozita shqiptare do të jetë e lirë që të zgjedhë çfarëdo opsioni për heqjen e imunitetit. Kreu i qeverisë deklaroi se kjo nismë është e domosdoshme të merret edhe pas pëlqimit që ka marrë nga ana e Komisionit të Venecias. “Ne ofrojmë si alternativë cilën dëshirë të ketë Partia Socialiste. Po të dojë të zbatojë udhëzimin e Komisionit të Venecias dhe të bëjë ndryshimet ligjore në përputhje me ato ndryshime, ose sikur të kërkohen edhe ndryshime kushtetuese”, deklaroi Berisha në fjalën e tij përpara deputetëve demokratë. Por sipas kreut të qeverisë, pjesëmarrja e opozitës në këtë proces është e domosdoshme, nisur edhe nga fakti se heqja e imunitetit kërkon një shumicë të cilësuar votash në Parlament, të cilat mazhoranca nuk i ka. Sipas Berishës, imuniteti përveç deputetëve prek edhe përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë dhe për këtë arsye votat e opozitës në këtë proces janë të domosdoshme. Kryeministri, ndonëse theksoi se mazhoranca që ai drejtonte kishte arritur suksese të mëdha në luftën kundër korrupsionit, ai theksoi se heqja e imunitetit do ta bënte këtë luftë edhe më të suksesshme. Nga ana tjetër, Berisha gjeti dje rastin për t’i kërkuar opozitës edhe bashkëpunimin e saj për amendimin e Kodit Penal, i cili gjithashtu kërkon një shumicë të cilësuar votash. Sipas Berishës, amendimi i këtij kodi do të shërbejë për të ligjin e faljes së të burgosurve dhe për një sistemim më të mirë të viteve maksimale të dënimit për të burgosurit. Sipas Berishës, është e nevojshme që në vend dënimi maksimal të mos jetë vetëm 25 vjet, por vitet e vuajtjes së dënimit në burg mund të variojnë. Në këtë kuadër, Berisha theksoi se një ndryshim i viteve të dënimit maksimal mund të sjellë edhe të drejtën e faljes për ata persona të cilët kanë marrë dënimin e përjetshëm. “Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili pas dënimit për jetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se PS bie dakord që të ndryshojë Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë, jo 25 vjet, por 61 siç e ka Britania e Madhe, 100 siç e ka Italia, 50 e kanë vende të tjera, atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes”, deklaroi Berisha. Por sipas Kryeministrit ishte shumë e rëndësishme që ligji i faljes për personat me dënime të përjetshme, të mos aplikohej në situatën aktuale, ku dënimi maksimal për të burgosurit është 25 vjet. Kreu i qeverisë theksoi se në këtë pikë politika duhet të ishte shumë e kujdesshme dhe të respektonte parimet mbi të cilat gjykatat në vend i kishin dhënë dënimet e tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›