Maqedonia: Jo borxh mbi 40 për qind
Parlamenti i Maqedonisë miratoi një ligj ku sanksionohet që borxhi publik i vendit të mos lejohet të kalojë në mbi 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një lëvizje që synon të rrisë besueshmërinë e këtij vendi para investitorëve të huaj dhe donatorëve ndërkombëtarë. Parlamenti miratoi dokumentin udhëheqës të menaxhimit të borxhit publik për tre vitet e ardhshme. “Ky nivel i borxhit publik bën që Maqedonia të mbetet në zonën e vendeve me më pak borxhe në botë”, deklaroi ministri i Financave Zoran Stavreski. Sipas tij, në këtë mënyrë, Maqedonia do të ketë mundësi të përballojë më mirë kriza të tilla financiare, si ajo që goditi botën vitin e kaluar. Maqedonia ka në plan të emetojë bonde në euro këtë muaj, ndërkohë që synon të dalë në tregun ndërkombëtar, pasi të ketë miratuar shkurtime të shpenzimeve buxhetore këtë vit. Objektivi i Maqedonisë është të emetojë bonde me vlerë 175-250 milionë euro. Disa analistë vendës, ndërkohë po kritikojnë Shkupin, duke vlerësuar se për këtë vend është më mirë t’i drejtohet për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar se sa të përpiqet të mbijetojë, duke marrë hua nga investitorët privatë.
#