Kosova provincë
Kur Baronesha Ashton dy-tri ditë më parë tërhiqte prej dore Presidentin e Serbisë, z. Tadiç, për të njoftuar mediat se Serbia shumë shpejt do të marrë statusin e kandidatit për anëtar në BE, ajo nuk përmbahej nga gëzimi. Në fakt, britanikët nuk entuziazmohen kollaj. Nga ana tjetër, z. Tadiç ishte më i vetëpërmbajtur dhe i kujdesshëm. Ky entuziazëm i Brukselit, përveç një kompleksiteti të ngjarjeve të vitit 1999, si dhe të lidhjeve të vjetra të Serbisë me Perëndimin, mund të konsiderohet një lloj suksesi për Brukselin për tri arsye:
E para, nga një vend armik dhe target lufte rreth 10 vjet më parë, tashmë Serbia bëhet një partner formal i Perëndimit. E dyta, një Serbi sa më afër klubit europian, aq më lehtë do të jetë për Brukselin për menaxhimin e problemeve të mbetura nacionale në rajon. Dhe e treta, me këtë afrim ndaj Perëndimit, reduktohet potencialisht në minimum ndonjë tendencë apo influencë ruse në Serbi.
Më fjalë të tjera, Serbia ka më shumë rëndësi gjeopolitike për Brukselin, sesa vendet e tjera jashtë BE-së. Kjo është aq e vërtetë, sa që Brukseli i bën presion qeverisë së Kosovës për të hequr dorë nga emërtimi Republikë, për të kënaqur Serbinë, si dhe për të shitur në publik se marrëdhëniet Serbi-Kosovë po përmirësohen në frymën e së ardhmes europiane!
Që Serbia, ashtu si Kroacia, të anëtarësohet në komunitetin europian, nuk ka asgjë të keqe. Por ajo që të bën përshtypje në këtë proces është fakti që Brukseli, në një mënyre apo tjetër, po i jep rëndësi më shumë gjeopolitikës, sesa vetë kritereve. (Kjo situatë ka një ngjashmëri me pranimet në BE të Greqisë dhe të Portugalisë në fillim të viteve 80.) Ndërkaq, deklarimi i Baroneshës se për të ardhmen në BE të Kosovës na duhet një studim fizibiliteti për të parë mundësitë se kur dhe si do të ndodhë, lë të kuptosh që Kosova për një kohë të papërcaktuar dhe shumë të gjatë do të mbetet një provincë e izoluar e Europës. Ndarkaq, nuk kuptohet se për çfarë duhet ky studim kur vetë Brukseli dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë kanë udhëhequr dhe drejtuar Kosovën për vite të tëra. Janë harxhuar me qindra miliona euro nga taksapaguesit europianë për asistencë teknike, konsulenca, rekomandime etj., për të gjitha institucionet e shtetit të ri të Kosovës. A ka qenë kjo mbështetje në ndihmë të procesit të integrimit europian?
Kuptohet që menjëherë ekspertët e Brukselit do të përmendin 12 kriteret e Kopenhagës, do të përmendin mijëra pyetësorë për tu plotësuar etj., etj. Në fakt, është e vështirë kjo puna e vlerësimit të kritereve për ata që duan të hyjnë, sepse kriza e eurozonës po tregon se pjesa më e madhe e vetë anëtarëve të BE-së nuk kanë respektuar për një kohë të gjatë rregullat dhe kriteret e vendosura prej vetë atyre!
Më tej, përparimi formal i Serbisë drejt Europës, në disbalancë me papërcaktueshmërinë e progresit të Kosovës në këtë proces, do ti japë avantazh të madh politik Serbisë në rajon dhe sidomos në Kosovë, për të vazhduar qëndrimet e vjetra nacionaliste në formë më të hapur dhe më arrogante. Nuk është çudi që pas dy-tri vitesh, rruga e Kosovës drejt Brukselit të kalojë nëpërmjet interesave dhe humorit të Beogradit. Pra, në vend që Beogradit ti vihen kushte për njohjen dhe pendesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit të Kosovës, realisht do të jenë serbët që do ti vënë kushte Kosovës për çdo hap drejt Europës.
