E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova si të tjerët në forumet rajonale

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi se përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale pa fjalën republikë paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës, ka bërë që të reagoj edhe Qeveria e Kosovës, e cila thënë se nuk është marr asnjë vendim i tillë në këtë drejtim dhe se Kosova nuk do të tërhiqet nga pozicioni i vet, por do të prezantohet ashtu sikurse shtetet e tjera.

Pas deklarimit të kryenegociatores, Edita Tahiri se Kosova mund të përfaqësohet në nismat rajonale, ku krahas emrit të saj, do të ketë një fusnotë, por jo edhe fjalën republikë, ka pasur reagime të partive politike opozitare dhe së fundi edhe të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Por pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur të mërkurën, zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi, gjatë konferencës për shtyp ka thënë se përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare do të jetë mbi bazën që e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

“Është konstatim i kryetari të Kuvendit dhe në këtë drejtim Qeveria e Kosovës nuk e ka marr asnjë vendim që heq dorë nga një pozicion i tillë dhe përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në bashkëpunimin rajonal do të jetë mbi bazën e asaj që parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe identiteti shtetëror i Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova do merr pjesë si e barabartë në bashkëpunimet rajonale. Sipas tij, ashtu sikur prezantohen shtetet tjetra, do të prezantohet edhe Kosova.

“Nëse të tjerët identifikohen me shtet edhe ne me shtet, nëse të tjerët me emër ne me emër. Por në asnjë rast nuk do të ketë heqje dorë që është e paraparë me ligjet tona”, ka thënë ai.

Sipas tij, trajtimi është i barabartë përball nesh, qoftë Serbia apo dikush tjetër do të ketë trajtim të barabartë.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se është bërë një zhurmë ose edhe një keqkuptim për këtë çështje, por ka shtuar se nuk ka dhe nuk do të ketë marrëveshje në këtë drejtim, e cila bie ndesh me deklaratën e 17 shkurtit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pozicionin tonë si shtet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›