E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova sot në Këshillin e Sigurimit. Thaçi- Daçiç nuk ka shtrëngim duarsh

Kosovë- Skenari i Dubrovnikut ku Thaçi dhe Daçiç shtrënguan duart, ka pak gjasa të ndodh sot në New York, ku pritet të nis diskutimi i raportit të Ban Ki-moon për Kosovën.

Është folur kohët e fundit për një rihapje të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës në nivele të lartë të përfaqësimit, por burimet thonë se sipas të gjitha gjasave, një takim i tillë i nivelit të lartë, nuk do të ndodh në New York.

Nuk pritet të ketë ndonjë takim mes dy kryeministrave, as shtrëngim duarsh, ka thënë një zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës, të hënën për Express Kosova.

Fillimisht ishte planifikuar që Kosova në këtë takim të përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, por kjo ka ndryshuar kur është bërë e ditur se Serbia do të përfaqësohet nga Ivica Daçiçi.

Deri në çastin e fundit, është paraparë që në New York të udhëtojë Ministri Hoxhaj, por për shkak se Serbia po përfaqësohet në këtë mbledhje nga kryeministri i saj, atëherë edhe Kosova ka vendosur që të ketë të njëjtin nivel përfaqësimi, ka thënë dje Këshilltari i Kryeministrit, Bekim Çollaku, për KTV.

Në Qeverinë e Kosovës udhëtimin e Daçiç në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e shohin si një synim të këtij të fundit për të rënë në sy në arenën ndërkombëtare, pas zgjedhjes në postin e Kryeministrit.

Në Këshillin e Sigurimit megjithatë dy palët nuk janë të barabarta, pasi zyrtarët kosovarë që marrin pjesë në seancë nuk prezantohen në kapacitet shtetëror për shkak se ky mekanizëm nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Rusia dhe Kina dy shtete anëtare të KS të OKB-së me të drejtë vetoje kanë kundërshtuar pavarësimin unilateral të Kosovës përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës – tri shtete të tjera anëtare të këtij mekanizmi me të drejtë vetoje dhe përkrahëse të shtetit më të ri në Europë.

KS i OKBsë, ku çdo tre muaj diskutohet për situatën në Kosovë, shpesh ka shërbyer edhe si arenë përplasjesh mes zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Kosova në seancat e KS të OKBsë është përfaqësuar nga ministrat e jashtëm, ndërkohë që aty për herë të parë si zë i kosovarëve do të jetë Kryeministri Hashim Thaçi.

Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë sot, nën udhëheqjen e Francës, raportin periodik për Kosovën, të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Sekretari Ban flet në raport për përmbushjen e pjesshme dhe të munguar të marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm dhe vëren se në bashkëpunimin rajonal marrëveshja nuk ka përcaktuar në mënyrë precize përdorimin e fusnotës të cilës palët i kanë bërë interpretime të ndryshme që ka çuar në probleme pjesëmarrjeje të Prishtinës dhe Beogradit në një seri takimesh rajonale.

AI poashtu ka lëshuar kritika të ashpra ndaj komuniteit ndërkombëtar duke vërejtur mungesë uniteti lidhur me Kosovën, thuhet në raportin e tij.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›