E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova s’do të dënohet për hezitimin e të tjerëve

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka deklaruar se vendi i tij angazhohet për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën, duke thënë se është në kontakt me një pakicë të vendeve brenda Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Gjermania nga fillimi ka qenë një partner i ngushtë i Kosovës”, tha Westerwelle dhe shtoi se “me këmbëngulësi vazhdojmë ta mbështesim Kosovën, që të ketë rritje të numrit të njohjeve, që tashmë është afër 100”.

Këto komente, Ministri i jashtëm gjerman i ka bërë gjatë takimit të sotëm me Ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Berlin, njofton Ministria e jashtme e Kosovës.

Zoti Westerwelle ka theksuar se nuk mund të lejohet që një shtet, që i ka bërë si duhet detyrat e shtëpisë, të dënohet për shkak të hezitimit të tjerëve.

“Ne mbështesim një politikë afruese të BE-së, e cila e vlerëson çdo shtet veç e veç, që i përmbushin kriteret”, tha Westerwelle, duke u shprehur për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, i cili megjithë tetë rundet e zhvilluara deri tash, nuk ka arritur të finalizohet.

Ministri Enver Hoxhaj tha se Kosova “ka pasur qasje shumë serioze në dialog, prandaj pavarësisht nga epilogu i tij, BE-ja duhet ta filloj dialogun për Marrëveshjen për Stabilizimj Asocim me Kosovën”/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›