Marrëveshje për tri pika të kalimit kufitar Kosovë-Shqipëri

Të martën u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për hapjen e tri pikave të përbashkëta të kalimit të kufirit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka, nënshkruan të martën në Tiranë, marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për hapjen e tri pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, në: Glloboçicë- Borje; Orçush-Orgjost dhe Krushevë-Shishtavec.
Po ashtu, ministrat Rexhepi dhe Noka gjatë takimit të përbashkët nënshkruan edhe marrëveshjen për “Krijimin dhe funksionimin e një qendre të përbashkët bashkëpunimit policor”.
“Këto marrëveshje do të rrisin maksimalisht frymën e bashkëpunimit në të ardhmen, gjithnjë me qellim të krijimit te kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por në të njëjtën kohë edhe një luftë më efikase të përbashkët kundër krimit të organizuar, në veçanti të krimit ndërkufitar”, tha Rexhepi.
Ndërsa gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Flamur Noka, nënvizoi se “zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Republikën e Kosovë, mbetet gjithmonë prioritar dhe merr një rëndësi të dorës së parë. Edhe pse kemi një bashkëpunim të shkëlqyer deri më tash jo vetëm në nivel politik, por edhe ndërmjet strukturave në varësi të dy ministrive homologe është ende e nevojshme të thellojmë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat me interes të përbashkët”./Indeksonline/