E Diel, 1 Nëntor 2026

“S’po merrën vesh me ndërmjetësues e lëre pa të”

Kosova e Serbia nuk po mund të merren vesh me ndërmjetësim, e aq më pak kjo do të ndodhte pa ndërmjetësim, vlerëson kryetari i Kuvendit të Kosovës. Partitë politike ndajnë mendim me të, pos PDK-së. Kryeministri ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare nuk ndërron qëndrim nga ai i 2 prillit, transmeton KTV. Në këtë mënyrë ka ironizuar Jakup Krasniqi për mundësinë e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë pa ndërmjetësim: “këta nuk po mund të merren vesh me ndërmjetësues e lëre më pa të”.

E kryeministri i Kosovës ka përsëritur qëndrimin se Prishtina nuk lëshon pe në qëndrimin e saj.

Deklarata e kryeministrit serb, Daçiq, se bisedimet do të duhet të vazhdojnë pa ndërmjetësim, është quajtur demagogjike dhe vetëm sa për të thënë diçka para opinionit serb.

Të njëjtin mendim e ndajnë edhe LDK-ja e AAK-ja, pos PDK-së, sipas së cilës Kosova është e gatshme të marrë pjesë në çfarëdo formati të bisedimeve.

Përfaqësuesit e partive politike mendojnë se Komisioni Evropian do të japë mendim në favor të vendit të martën kur publikon raportin për Kosovën.

Kështu edhe do t’i mundësohej Kosovës të niste negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit, hapi i parë drejt BE-së.

Sipas tyre, Kosova ka qenë shumë bashkëpunuese në këto bisedime dhe BE-ja do të duhej ta vlerësonte këtë.

Ndërkohë, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që seanca e radhës është të mbahet këtë të enjte, më 18 prill.

Ndër pikat e rendit të ditës është një debat për Trepçën, i kërkuar nga LDK-ja dhe do të vendoset në votim Rregullorja e re e punës së Kuvendit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›