Kosova synon të ‘nxirret’ në Mitrovicë
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të shtunën në Mitrovicë ndërmjet dy rivalëve të përbetuar, Trepçës dhe Llamkos Kosovës nga Vushtrria.
Siç dihet, sa herë që janë takuar këto dy skuadra, rivaliteti mbërrinte kulmin, e shpeshherë edhe i kalonte kufijtë. Rivaliteti nuk do të mungojë as në përballjen e tyre të së shtunës, e cila pritet ta tërheqë me të madhe vëmendjen e tifozëve mitrovicas dhe atyre vushtrrias, sikurse viteve të kaluara.
Kjo pasi sa herë që ndeshen këto dy skuadra, fitoren e kanë objektiv të vetëm, pavarësisht rrethanave në të cilat gjenden.
Trepça po kalon nëpër një formë stabile. Prej nëntë ndeshjeve të zhvilluara, ‘Xehetarët’ deri më tani i kanë pësuar dy humbje, derisa i ka regjistruar tri barazime e katër fitore. Por, mitrovicasit synojnë që të shtunën t’i mposhtin vushtrriasit dhe ta regjistrojnë fitoren e pestë në këtë edicion.
“Llamkos Kosova është një skuadër e fortë, sidomos kur luan ndaj nesh, ani pse deri më tani nuk ka arritur rezultate të mira. Vërtet do ta kemi shumë të vështirë ndaj vushtrriasve, por megjithatë unë jam optimist se me sukses do ta kalojmë këtë sfidë, duke i fituar tri pikë”, u shpreh trajneri i Trepçës, Shefqet Kurti.
Por, gjelbërezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë objektivin, ngase edhe Llamkos Kosova synon të fitojë midis Mitrovice, pas plot shtatë javësh. Kjo pasi vushtrriasit synojnë ta ndërpresin serinë e rezultateve negative, ngase deri më tani e ka shënuar vetëm një fitore krahas
tri barazimeve e pesë humbjeve.
“Konstatimi i përgjithshëm është se jemi në krizë të rezultateve. Andaj, të shtunën nuk kemi alternativë tjetër veçse të luajmë mirë dhe ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv që është e mundur”, u shpreh trajneri i bardhekaltërve, Luan Prekazi.
Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Gjakovë, ku Liria do ta presë Hysin në formë, derisa në Skenderaj, Drenica ndeshet me Besën.
Superliga – xhiroja e 10-të
E shtunë
Liria – Hysi 14:00
Trepça – Ll. Kosova 15:00
Drenica – Besa 15:00
E diel
Vëllaznimi – Hajvalia 15:00
Drita – Trepça ’89 15:00
E hënë
Prishtina – Ferronikeli 15:00