E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krim nëse nuk fiton Ronaldo

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho thotë se do të jetë krim nëse ylli i skuadrës së tij, Cristiano Ronaldo nuk shpallet fitues i Topit të Artë. ‘Special One’ insiston se bashkëkombësi i tij nuk vjen nga Madera, por nga Marsi dhe me bindje të plotë e konsideron si futbollistin më të mirë në “univers”. Për Mourinhon, Ronaldo është lojtar më i kompletuar se rivali i tij nga Barcelona, Lionel Messi.

Disa ditë më parë, Jose Mourinho e kishte të vështirë të jepte një votë përfundimtare për fituesin e Topit të Artë, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme të Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit në El Clasico, por për portugezen “A Bola”, trajneri i Realit duket se i ka qartësuar idetë e tij.

Për “The Special One” fituesi i Topit të Artë duhet të jetë Cristiano Ronaldo, aq sa trajneri thekson se do të ishte një krim nëse futbollistit të Realit nuk do t’i jepej ky çmim: “Ronaldo e meriton Topin e Artë. Messi aktualisht është më i miri në botë vetëm sepse Ronaldo vjen nga një tjetër planet”.

Mourinho i është kthyer deklaratave pas El Clasicos, ku i cilësoi si Messin ashtu dhe Ronaldon si lojtarë të jashtëzakonshëm: “Ishte një përgjigje respektuese si për lojtarin tim, gjithashtu dhe për rivalin e tij. Por tani me shumë përgjegjshmëri ju them se lojtari im nuk është nga Madeira, por nga Marsi. Ai vjen nga një tjetër planet. Ai nuk është më i miri në tokë, por është më i miri i universit”.

Mourinho shton se për Ronaldon, ambientimi me Realin ka qenë më i vështirë se ai i Messit me Barcelonën, për faktin se argjentinasi ka luajtur me të njëjtët futbollistë që fëmijë: “Messi është rritur në të njëjtën skuadër që luan aktualisht dhe ka luajtur gjithmonë me të njëjtët futbollistë. Ronaldo ka luajtur në Angli përpara se të vinte këtu, dhe nuk është e lehtë që të ndryshosh skuadër. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar aspak që të jetë më i miri. Pastaj Messi luan në një pozicion më të avancuar në fushë, ndërsa Ronaldo luan më në krah por golat flasin më shumë në favor të portugezit sesa të argjentinasit. Ronaldo për më tepër luan dhe në mbrojtje, kurse Messin nuk e shoh kurrë të mbrojë, ndaj unë them që është një futbollist më i kompletuar”.

Në fund, Mourinho akuzon gjyqtarët se Messin e mbrojnë më shumë sesa CR7 në fushën e lojës: “Ronaldon nuk e mbron askush në fushë, atij duhet t’i thyejnë këmbët që të ndëshkohen me karton të verdhë, ndërsa tjetrin sapo e prekin, gjyqtarët nxjerrin kartonët. Dhe nëse dikush guxon t’i ndërhyjë pak më ashpër se zakonisht, atëherë merr menjëherë karton të kuq”.

Deklarata ofensive këto të Mourinhos që këtë vit duket se ka vendosur të sponsorizojë në maksimum Ronaldon për fitimin e Topit të Artë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›