Kosova të pranohet si anëtare e BERZH
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto takime me presidentin e BERZH, Mirow dhe homologun serb, Jeremiç
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, me cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar, mori pjesë në Samitin i Nismës së Evropës Qendrore (CEI) e cila u mbajt në Beograd, më 4 nëntor 2011. Ky samit organizohet nga Presidenca e radhës, që aktualisht mbahet nga Serbia. Gjatë kësaj vizite, Haxhinasto pati një takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç si dhe me Presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), Thomas Miroë. Në fjalën e vet, Ministri Haxhinasto vlerësoi rëndësinë e kësaj Nisme të Evropës Qendrore dhe siguroi të pranishmit për vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin e saj në suksesin e kësaj nisme të rëndësishme të rajonit tonë. Më tej, ai tha se kjo nismë do të ndihmojë integrimin e të gjitha vendeve të rajonit midis tyre, dhe së bashku drejt BE-së. Duke iu referuar krizës globale ekonomike dhe financiare, Haxhinasto u shpreh se për të përballuar efektet e kësaj krize, vendet e rajonit duhet të përmirësojnë situatën makroekonomike, lirinë ekonomike, investimet e huaja, sistemin bankar, si dhe politikat fiskale. Ne, tha ai, duhet të forcojmë konkurrueshmërinë e rajonit tonë, për t’i bërë vendet tona dhe rajonin më efektiv dhe konkurrues. Ai përmendi sukseset e arritura nga Shqipëria për përmirësimin e klimës së biznesit, tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e eksporteve. Vendet tona, nënvizoi Ministri Haxhinasto në fjalën e vet, duhet të bashkëpunojnë dhe koordinojnë midis tyre për të garantuar një integrim më të plotë ekonomik dhe një treg sa më të gjerë dhe me cilësi më të mirë në infrastrukturë dhe të garantojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të tyre. Në vazhdim, ai tha se Shqipëria përshëndet përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për avancimin e perspektivës evropiane të gjitha vendeve të rajonit. Në këtë kuadër, ai theksoi se parimi i gjithë përfshirjes, pra përfshirjes të gjithë vendeve të rajonit tonë duhet të aplikohet jo vetëm nga Nisma e Evropës Qendrore, por edhe për nismat e tjera rajonale.
Takimi me Jeremiç
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto pati një takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë Vuk Jeremiç. Në takim u fol për bashkëpunimin dypalësh, si dhe atë rajonal. Bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, në të gjitha fushat me interes dypalësh. Këtij qëllimi, tha Ministri Haxhinasto, do t’i shërbente edhe përfundimi i marrëveshjeve në fusha të interesit të përbashkët si: arsim, transport, telekomunikacion, etj. Haxhinasto tha se pala shqiptare i kushton një rëndësi të posaçme nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe po me të njëjtin interes vlerëson edhe përfundimin e marrëveshjeve të tjera, që janë prej kohësh në proces. Bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe afrimi i komuniteteve të biznesit ishte një nga temat që u identifikua nga bashkëbiseduesit si një drejtim i rëndësishëm i bashkëpunimit në të ardhmen. Në këtë drejtim, tha Haxhinasto, do të ishte me mjaft interes mbajtja e një forumi të përbashkët të biznesit, gjatë të cilit komunitetet e biznesit të dy vendeve do të forconin më tej lidhjet dhe bashkëpunimin, si dhe do të identifikonin fushat me interes të ndërsjellë. Nga ana tij, ministri i Jashtëm, Jeremiç nënvizoi se duhet të nxitet më tej bashkëpunimi ekonomik dhe të mundësohet një komunikim më i frytshëm midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve. Duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit synojnë integrimin në BE, Jeremiç u shpreh se procesi i integrimit në BE ka shumë sfida për të gjitha vendet tona. Por e rëndësishme është që vendet e rajonit të fokusohen në drejtim të rritjes së bashkëpunimit rajonal.
Takimi me presidentin e BERZH
Në takimin me Presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Thomas Miroë, ministri Haxhinasto vlerësoi angazhimin e këtij institucioni në Shqipëri dhe theksoi se bashkëpunimi shumë i mirë ka bërë që implementimi i projekteve të ecë në ritmet e duhura. Në takim, Haxhinasto i kërkoi presidentit të BERZH që të ecet më tej me pranimin e Kosovës si anëtar i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ne, tha ai, vlerësojmë përpjekjet e deritanishme të Bankës në këtë drejtim, por do të donim që Kosova të bëhej anëtare me të drejta të plota në një të ardhme të afërt. Kjo jo vetëm që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës, por do të përmirësojë edhe jetën e të gjithë qytetarëve të saj. Nga ana e tij, presidenti i BERZH u shpreh se vlerëson pozitivisht bashkëpunimin me Shqipërinë dhe është i bindur në suksesin e të gjitha projekteve në Shqipëri. Po ashtu, ai falënderoi Qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë ndaj angazhimeve që Banka synon të marrë në Afrikën veriore dhe në Lindjen e Mesme. Gjatë takimit, Presidenti Mirow ftoi Shqipërinë që të marrë pjesë në forumin “Ballkani Perëndimor dhe promovimi i investimeve”, që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm.
...