Buxheti 2012, më i madhi në histori - 500 milionë dollarë shkojnë vetëm për infrastrukturën
Investimet në infrastrukturë, rritja e pagave dhe e pensioneve, rritja e ndihmës ekonomike, si dhe kompletimi i projektit “Shqipëria dixhitale”, janë disa nga projektet madhore të qeverisë, gjatë vitit të ardhshëm buxhetor. Buxheti i ri ka si objektiv gjithashtu garantimin e stabilitetit ekonomik të vendit, në kohën e një krize të rëndë në historinë e Evropës
Investimet, synimi: Çdo shqiptar të mbërrijë në Tiranë për më pak se dy orë
Qeveria miratoi dje projekt/buxhetin për vitin 2012-të, i cili do t’i drejtohet komisioneve parlamentare, për të kaluar më pas në Kuvend për votat e deputetëve. Kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të draftit të buxhetit para anëtarëve të kabinetit qeveritar tha se “ky buxhet është më i madhi në historinë e vendit, i cili i përgjigjet premtimeve dhe objektivave të qeverisë për vitin e ardhshëm buxhetor”. Berisha garantoi se s’do ketë rritje të deficitit buxhetor, ndërsa investimet në infrastrukturë do përparësohen edhe më tej, ku veçoi segmentet rrugore si autostradën Tiranë – Elbasan, segmentin Qukës – Qafë Plloçë si dhe përfundimin e autostradës Levan - Tepelenë, ndërsa do të investohen edhe 500 milionë dollarë të tjera gjatë vitit të ardhshëm. “Ky buxhet është më i madhi në tërë historinë e vetë dhe ka si objektiva më kryesorë, garantimin e stabilitetit makroekonomik si përparësi e të gjitha përparësive në kohën e një krize ndofta më të rëndë në historinë e Europës. Buxheti i viti 2012 është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ju, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit të të gjithë treguesve më optimal të mundshëm për stabilitet ekonomik. Siç jemi zotuar se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë rritje të deficitit buxhetor, por vetëm ulje të tij, se nuk ka dhe nuk do të ketë parashikime të tjera përveç atyre me praktikën më konservatore. Për vitin 2012 për ndërtimin e infrastrukturës rrugore do të investohen 500 milionë dollarë. Drejtimi i dytë themelor do të jetë infrastruktura. Kjo mazhorancë, do të mobilizojë të gjitha potencialet e saj për të bërë Shqipërinë me infrastrukturën më moderne. Ndërtimi i infrastrukturës është mënyra më e sigurt për të shpejtuar procesin e zhvillimit të vendit. Gjatë këtyre viteve janë përfunduar investimet më kryesore në infrastrukturë, por, është e nevojshme të investohen të paktën edhe 1 miliardë euro në rrugët e komunave dhe fshatrave. Prandaj, buxheti i shtetit do të orientohet drejt investimeve deri sa të ndërtohen të gjitha segmentet kryesore të vendit. Do të ruajmë të njëjtin nivel investimesh në rrugë deri sa të bëjmë që çdo shqiptar, aty ku jeton, të arrijë në Tiranë duke kursyer jo më pak se 60 % të kohës ose 2 - 2.30 orë. Gjatë vitit 2012 do të investohet në akset rrugore Tiranë-Elbasan, Qukës-Qafë Plloçë, Rrugën e Arbrit, By passin e Shkodrës, në segmentin Kardhiq-Delvinë, si dhe për përfundimin e autostradës Levan-Tepelenë. Ky rrjet rrugor është rrjeti i transformimit të Shqipërisë. Do të investojmë në rrugë rreth gjysmë miliardë dollarë. Ne do t’i japim vendit infrastrukturën më moderne rrugore në interesin më të mirë të çdo qytetari”, u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit tha se në themelin e buxhetit është vendosur të përqendrohet në objektivat më madhorë dhe këto janë rritja e rrogave dhe e pensioneve, duke shprehur bindjen se rritja e studiuar e rrogave dhe pensioneve përbën një akt shumë të rëndësishëm në politikën e investimit në burimet njerëzore si dhe në fytyrën njerëzore të qeverisë. “Zemra e dhimbsur është dhe do mbetet zemra e vërtetë e kësaj qeverisje, ndaj dhe viti i ardhshëm sërish Shqipëria do jetë një ndër më të paktat vende që rrisim rrogat, pensionet si dhe ndihmën ekonomike”, tha ai. Kryeministri theksoi se në vlerësimin që bëhet për krahasimin global Shqipëria rezulton në vendin e 17- të në botë për rroga dhe produktivitet dhe ky është një nga treguesit më thelbësor që është arritur, duke premtuar se do bëhen përpjekje që të përmirësohet më tej ky raport, duke ruajtur konstante politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. “Viti 2012 nuk është një vit elektoral, pra ne nuk e bëjmë këtë për qëllime elektorale, siç është përpjekur në mënyrën më të përsëritur opozita të cilësojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në parlament dhe kësaj radhe pasi kanë votuar për vite kundër tyre ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë për këtë rritje, sepse pensionistët shqiptarë, punonjësit e administratës dhe familjet e tyre kanë nevojë për të ardhura. Ta recitojnë këngën e orizit çdo seancë parlamentare, do kish qenë shumë më e dobishme të votojnë rritjen e rrogave dhe pensioneve që kemi dërguar në parlament për çdo buxhet”, deklaroi kreu i qeverisë duke theksuar se mazhoranca u qëndron në mënyrë të palëkundur premtimeve elektorale. Një tjetër dinamizëm buxheti i 2012-ës i jep edhe projektit “Shqipëria dixhitale” në 100 vjetorin e pavarësisë. Kreu i qeverisë u kërkoi të gjithë ministrave të orientojnë buxhetet drejt këtij prioriteti. Duke u ndalur në projekte konkrete, Kryeministri Berisha renditi lejet e ndërtimit në MPPT, ndihmën ekonomike në METE, internetin në çdo klasë, regjistrimin në shkolla, dixhitalizimin e Bibliotekës Kombëtare si dhe dixhitalizimin e tokës. Sipas kreut të qeverisë, janë gjithsej 125 projekte. Kryeministri Berisha u ndal edhe në projektin e lancuar kohët e fundit, atë të frutikulturës. “Ky projekt ka një rëndësi kapitale për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe për rritjen e të ardhurave në familjen shqiptare”, tha Berisha. Duke e konsideruar këtë projekt si më ambiciozin, ai tha se përveç buxhetit të parashikuar nga MBUMK, qeveria ka parashikuar që 20 % e grandit të pakushtëzuar t’i përkushtohet pyllëzimit dhe gjelbërimit. “Duhet të mbështesim këto dy projekte. Kemi gjetur mirëkuptim me drejtues komunash dhe fermerë, të cilët e shohin këtë projekt të madh kombëtar një perspektivë reale për të rritur të ardhurat e vendit”, tha Berisha. Kryeministri Berisha bëri të ditur gjithashtu se projekte ambicioze do të mbështeten nga buxheti i shtetit edhe në sektorë të tjerë, si ujësjellës-kanalizimet, shëndetësia, turizmi, kultura, mbrojtja, por edhe institucionet e pavarura. Ai informoi se të ardhurat që do të krijohen nga privatizimet nuk janë përfshirë në buxhet. “Destinacioni i tyre do të përcaktohet nga parlamenti dhe do të ndjekin linjat kryesore të buxhetit”, tha më tej Berisha.
...