E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova vë në grindje Serbinë me Malin e Zi

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i ka thënë BBC-së se ndaj Malit të Zi është bërë presion nga jashtë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Sipas tij, Podgorica ka vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit malazez, duke acaruar në këtë mënyrë marrëdhëniet me Serbinë.

Ivanoviq ka mirëpritur thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon për bashkëpunim rajonal mes Prishtinës dhe Beogradit, por ka nënvizuar se ky bashkëpunim nuk mund të ndodhë në qoftë se udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të këmbëngulin në pavarësinë e Kosovës.

Ai thotë se Serbia nuk do të pranonte kurrë që të bisedonte me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës së pavarur pa praninë e UNMIK-ut apo EULEX-it.

Duke komentuar strategjinë e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare të Prishtinës për integrimin e veriut të Kosovës, zyrtari i qeverisë serbe thotë se serbët e asaj pjese nuk do të lejojnë shtrirjen e pushtetit të institucioneve të Kosovës së pavarur, të cilën ata nuk e njohin si shtet të tyre.

BBC: Zoti Ivanoviq, përse Serbia u zemërua kaq shumë me Malin e Zi kur ai vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën. A nuk ishte i pritur për ju një vendim i tillë?
Oliver Ivanoviq: Po sikurse edhe para një kohe kur Mali i Zi e pranoi pavarësinë e jashtëligjshme të Kosovës të shpallur njëanshëm, të gjithë në Serbi kanë reaguar me emocion. Thjesht sepse këtë nuk e presin nga Mali i Zi, këtë nuk e presin nga populli i cili është shumë i afërt me serbët dhe që ndan historinë e njejtë, këtë nuk e presin nga populli i cili deri së voni ka qenë pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë, pra jo nga ata që janë më të afërmit tanë. Në raste të tilla më së shumti dhemb një veprim i tillë, që unë do ta quaja të paprecedent.

BBC: Por zoti Ivanoviq, të dyja vendet kur vendosën marrëdhënie diplomatike thanë se një veprim i tillë është në të mirë të perspektivës evropiane dhe bashkëpunimit rajonal. Përse Serbisë i pengon që vendet fqinje të kenë një bashkëpunim më të mirë mes tyr? A nuk është kjo një politikë që do të duhej ta udhëhiqte Serbia?
Oliver Ivanoviq: Së pari, motivi i tyre nuk ishte perspektiva evropiane, këtu kemi të bëjmë absolutisht me presion dhe është dëshirë e një grupi të ngushtë të njerëzve që udhëheqin politikën e Malit të Zi që të vazhdojë në këtë drejtim. Në asnjë mënyrë ky nuk është interesi i popullit, sepse interesi i popullit duhet të jetë marrëdhëniet e mira me Serbinë. Më shumë se 30 përqind e këtij populli, janë deklaruar si serbë, kështu që ky fakt nuk mund të anashkalohet.
Presioni që po e bëjnë fuqitë e mëdha për të treguar se si është i suksesshëm projekti i tyre për pavarësinë e Kosovës, nuk do të duhej të ishte vendimtar në situata të tilla, sepse duke i bërë shërbim atyre përmes njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe më pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, mund do të përmirësohen në masë të madhe marrëdhëniet e Malit të Zi me SHBA-në apo me ndonjë shtet tjetër, ndërsa në periudhë afatgjatë do të acarohen marrëdhëniet me Serbinë, që është e një rëndësie jetike për mbijetesën e një shteti të vogël siç është Mali i Zi.

BBC: Dhe si do të sillet Serbia tani ndaj Malit të Zi, a do të hakmerreni politikisht për këtë hap?
Oliver Ivanoviq: Tani për tani është tërhequr ambasadori për konsultime, do të shohim kur do ta kthejmë atë. Nuk e kuptoj se si malazezët nuk e kuptojnë që kjo dhemb jashtëzakonisht shumë dhe se reagimi i Serbisë ishte edhe emotiv, por edhe i pritur. Nëse malazezëve nuk u intereson të kenë miqësi dhe raporte të mira me Serbinë, atëherë as Serbia natyrisht nuk ka ndonjë obligim të madh ndaj tyre.
Por Serbia është shtet shumë i përgjegjshëm dhe ajo duhet të kujdeset për të gjithë ata, të cilët Serbinë e përjetojnë si shtetin e tyre dhe kjo është një shumicë e madhe në Malin e Zi. Nuk e di cili do të jetë hapi i ardhshëm, por në çfarëdo rrethane nuk do të ketë reagime emocionale. Ky duhet të jetë një vendim i arsyeshëm. Nëse atyre nuk u interesojmë ne, atëherë ne duhet të kemi përgjigje adekuate për ta.

BBC: Zoti Ivanoviq, dhe kur po flasim për bashkëpunimin e vendeve fqinje, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në raportin e tij të fundit, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të lënë mënjanë çështjen e statusit dhe t’i qasen bashkëpunimit rajonal. Si e vlerësoni ju këtë qasje të tij?
Oliver Ivanoviq: Mendoj se kjo është një nismë e mirë, por Serbia nuk është ajo që e potencon çështjen e statusit, por janë shqiptarët e Kosovës. Në të gjitha institucionet rajonale që ekzistojnë dhe ato që do të duhej të ndërtoheshin, shqiptarët e Kosovës këmbëngulin në pavarësinë e tyre. Kjo pavarësi për Serbinë nuk ekziston, ajo nuk është e ligjshme dhe as legjitime dhe Serbia nuk do ta pranojë.
Nëse shqiptarët dëshirojnë që të përfaqësohen si Kosovë e pavarur në ato institucione rajonale, atëherë ata nuk do të kenë bashkëpunëtorë në Serbi dhe sipas të gjitha gjasave as në Bosnjë e Hercegovinë. Në këtë mënyrë nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal nëse shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin në atë që Serbia nuk e pranon e që paraqet shkelje të integritetit territorial të Republikës së Serbisë.

BBC: A është i gatshëm Beogradi që të hyjë në bisedime me përfaqësuesit e Kosovës pa palën ndërkombëtare?
Oliver Ivanoviq: Në asnjë mënyrë, me përfaqësuesit e institucioneve që veten e paraqesin si institucione të shtetit të pavarur nuk do të ketë bisedime. Për këtë arsye këtu kemi nevojë për bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kemi nevojë për UNMIK-un si një institucion jo i debatueshëm në Prishtinë dhe prandaj na duhet edhe EULEX-i, i cili ka mandat mjaft të gjerë, pra në polici, gjyqësi dhe dogana.
Unë ua përkujtoj që protokolli policor është nënshkruar, udhëheqja e Kosovës ka qenë e njoftuar për këtë, por nga frika e reagimeve të opinionit publik, ajo është tërhequr nga marrëveshja. Një marrëveshje e ngjashme si ajo për policinë, do të mund të bëhet edhe për gjyqësi dhe dogana, por ka edhe shumë tema tjera që janë politike. Në ato temë, partneri ynë në bisedime mund të jetë vetëm UNMIK-u, çfarëdo partneri tjetër ndërkombëtar të cilin mund ta ofrojnë udhëheqësit shqiptarë, siç është Zyra Civile Ndërkombëtare, nuk do të jetë i pranueshëm.

BBC: Zoti Ivanoviq, këto ditë Prishtina po përgatit një strategji për integrimin e veriut të Kosovës. Si shihet në Beograd kjo strategji dhe a ka gatishmëri tek qeveria serbe që të bashkëpunojë për integrimin e kësaj pjese të Kosovës?
Oliver Ivanoviq: Ne mendojmë vetëm për integrimin e tërë Kosovës dhe Metohisë në Serbi. Ky është integrimi i vetëm që është në përputhje me Kushtetutën serbe. Kjo që ka përgatitur qeveria e Kosovës ne nuk ka obligon aspak dhe as që na intereson. Nuk do të ketë integrim të veriut në Kosovën e pavarur, siç nuk do të ketë asnjë serb në Kosovë, pavarësisht ku jeton ai, që do ta pranojë pavarësinë.
Ne kemi disa njerëz që janë në institucione, por nuk janë të interesuar të mbështesin pavarësinë e Kosovës. Ata kërkojnë punë dhe në përpjekje për të gjetur punë ata i janë bashkuar atyre institucioneve, por kjo në asnjë mënyrë nuk do të duhej vlerësuar si një pranim i vullnetshëm nga ana e tyre për ta ndërtuar Kosovën e pavarur.

BBC: Pra, ju do të loboni kundër strategjisë për integrim tek serbët e veriut të Mitrovicës?
Oliver Ivanoviq: Nuk ka nevojë që të lobohet fare, kjo thjesht nuk mund të pranohet nga veriu. Atje është një përqëndrim i madh i serbëve, ata njerëz kanë përjetuar vite të vështira që i kemi lënë pas dhe ata askush nuk do të mund t’i bindë që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës apo çfarëdo që i përkujton në atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›