E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet një prokuror në Iran

Persona të armatosur kanë vrarë një gjykatës të prokurorisë në Iran, jashtë shtëpisë së tij në veriperëndim të Iranit, kanë njoftuar sot mediet shtetërore.

Dy personat e armatosur kanë hapur zjarr në drejtim të Vali Hajgolizadehit, i cili u cilësua si një prokuror me një rekord të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, afër shtëpisë së tij në qytetin Khoy, rreth 780 kilometra në veriperëndim të Teheranit.

Prokurori vdiq më vonë në spital, si pasojë e plagëve të marra, njoftoi televizioni shtetëror.

Qyteti Khoy gjendet afër brezit kufitar me Turqinë, rajon ky në të cilin herë pas here zhvillohen luftime mes forcave iraniane të sigurisë dhe separatistëve kurdë.

Kanali televiziv, Press TV, theksoi se raportet fillestare lënë të kuptojnë se Hajgolizadeh është kërcënuar me vdekje gjatë ditëve të kaluara.

Hajgholizadeh ka pasur një rekord të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit moral dhe kundërrevolucionarëve, deklaroi Ebrahim Mazraeli, nga zyra e guvernatorit të Khoyit.

Javën e kaluar, një shkencëtar iranian u vra pas një sulmi me bombë, të ndërmarrë para shtëpisë së tij në Teheran. Zyrtarët iranianë për këtë vrasje kanë fajësuar grupin opozitar në ekzil, Muxhahedinët e Popullit, duke theksuar se ky grup ka vepruar me urdhrat e Izraelit dhe të SHBA-së. Muxhahedinët e popullit dhe SHBA-ja kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë sulm, ndërsa Izraeli nuk ka komentuar këtë informatë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›