Kosova, vendimtare për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën

Koalicioni për themelimin e Komisionit Rajonal për verifikimin e fakteve për krimet e luftës (KOMRA) ka inkurajuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe konsideron se njohja e institucioneve të Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore është parakusht për jetë më të mirë të serbëve në Kosovë, ka deklaruar koordinatorja e procesit KOMRA, Natasha Kandiq.
“Nuk është vendimtare çështja nëse data për fillimin e negociatave do të jetë qershori, korriku, shtatori i këtij viti ose i vitit të ardhshëm, çështje e rëndësishme është normalizimi i marrëdhënieve dhe konsekuenca në përfaqësimin politik të idesë së integrimit evropian”, ka thënë Kandiq, transmetojnë mediet e Beogradit.
Në raportin “E drejta transicionale në vendet e ish-Jugosllavisë” Kandiq ka thënë se Serbia në fakt nuk ka sovranitet, as kompetenca juridike në Kosovë, kurse autoritetet në Beograd flasin se ‘Serbia është e gatshme për dialog më institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë’.
“Duhet të ketë një qasje e re për njohjen e institucioneve të Kosovës, meqë nga kjo varet siguria, mbijetesa dhe mbrojtja e të drejtave njerëzore të serbëve dhe i pakicave të tjera në Kosovë”, është shprehur Kandiq.
Sipas fjalëve të saj normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën është çështje dhe kusht vendimtar i ballafaqimit konstruktiv i Serbisë me të kaluarën./Indeksonline/