E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, vizat dhe integrimi temat kryesore

25/08/2010 Ministri i Jashtëm Meta thërret Konferencën vjetore të Ambasadorëve

Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha prezentë në takimin dyditor

Konferenca vjetore e Ambasadorëve shqiptarë në botë do të diskutojë gjatë takimit dyditor, tre çështje tepër të rëndësishme, që kanë të bëjnë me lotimin për njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës, liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian. Në këtë konferencë, të thirrur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, do të bëhet një analizë e hollësishme e aktivitetit të shërbimit të jashtëm shqiptar gjatë vitit të kaluar, dhe do të diskutohet mbi sfidat me të cilat përballet diplomacia shqiptare aktualisht, si dhe mbi organizimin e punës për vitin që vjen. Në këtë kontekst pritet të vihet theksi në forcimin, profesionalizmin dhe rritjen e efikasitetit të shërbimit të jashtëm në shërbim të sfidave të brendshme zhvillimore të vendit dhe rolit të ri dinamik të Shqipërisë në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, ka bërë të ditur dje, një ditë para nisjes së konferencës temat që do të diskutohen. “Do të vazhdojë të ketë në fokus procese të mëdha të integrimit, integrimin evropian të vendit, liberalizimin e vizave, anëtarësimin e plotë të vendit në BE, vazhdimin e procesit të njohjes së Kosovës, si shtet i ri dhe i pavarur, një punë kjo që do të intensifikohet shume gjatë këtij viti, edhe më shumë fokus do të ketë në marrëdhëniet ekonomike, bilaterale, dypalëshe në rajon dhe më gjerë”, - ka thënë ai në një intervistë televizive. Në konferencën dyditore, që do të nisë paraditen e sotme, do të marrin pjesë Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Meta. Në këtë takim do të analizohet puna vjetore e bërë nga shërbimi i jashtëm shqiptar. Por, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet situatës në rajon, veçanërisht pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›