E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli refuzon të shqyrtojë Komisionin Hetimor

Konferenca e Kryetarëve Kreu i Kuvendit: Ndryshoni përmbajtjen. Ruçi: Po thyhet rregullorja

Komisioni hetimor i zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 përcillet me debat të ashpër mes opozitës dhe Kryetares së Kuvendit në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Dyshja Topalli-Ruçi kanë debatuar dje me tone të larta për rreth një orë në kryesinë e Kuvendit lidhur me hetimin e zgjedhjeve. Konsensusi për datën kur do të ngrihet ky komision nuk është gjetur ende mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita kërkoi që ngritja e komisionit hetimor të përfshihet menjëherë në seancën e radhës së Parlamentit, ndërsa mazhoranca kapet pas pikës 3 të kërkesës së PS-së duke kërkuar që opozita të sjellë menjëherë emrat për përbërjen e komisionit hetimor. Pas një ore mbledhjeje, mazhoranca dhe opozita nuk kanë rënë dakord për datën e komisionit hetimor. Pritet që politika ta mbyllë vitin 2010 me një shoq parlamentar, pasi në seancën e fundit të Kuvendit, do të jenë dy çështje të rëndësishme, njëra është mocioni me debat kundër Topallit dhe tjetra është ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara.

Debati Topalli-Ruçi

Tri kanë qenë çështjet e kontestuara dje nga mazhoranca. E para lidhet me kërkesën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve, e dyta me përmbajtjen e saj dhe e treta me përbërjen e komisionit hetimor. Për dy të parat, Kryetarja e Kuvendit ka ‘toleruar’ duke e përqendruar debatin te pika e tretë që lidhet me anëtarët e PS-së që do të marrin pjesë në komisionin hetimor. Mungesa e emrave për përbërjen e komisionit hetimor nga ana e opozitës ka detyruar Kryetaren e Kuvendit të mos japë lejen që kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor të mos përfshihet në rendin e ditës së seancës parlamentare të kësaj jave. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, kërkoi në konferencën e Kryetarëve që Kuvendi të përfshijë menjëherë në seancën e radhës kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, çka u kundërshtua unanimisht nga treshja Topalli-Patozi-Rusmali. “Unë e mbledh që sot…nesër…pasnesër këtë mbledhje, por edhe Parlamentin kur të jeni ju gati për të sjellë emrat. Unë këtë kërkesë në këtë formë dhe përmbajtje nuk mund ta pranoj”, është shprehur Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nga ana tjetër, kryetari i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, bëri me dije se afati për shqyrtimin e kërkesës së PS-së skadon më 17 dhjetor. “Ju po kërkoni të thyeni rregulloren. Pas pesë ditësh skadon afati ligjor. Afati i fundit është data 17 dhjetor”, tha Gramoz Ruçi. I gjithë debati mes dyshes Topalli-Ruçi ishte i fokusuar te data e ngritjes së komisionit hetimor. Kryetarja e Parlamentit ka bërë me dije në konferencë se është e gatshme për të mbledhur seancën e Kuvendit në çdo moment që opozita do të vijë me kërkesën e hartuar në formën e duhur duke përfshirë edhe emrat për përbërjen e komisionit.

Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e djeshme ka pasur si rend dite “Ngritjen e një komisioni hetimor, për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë qershor 2009”. Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga opozita arsyet pse nuk kanë plotësuar kërkesën lidhur me përbërjen e këtij komisioni. Sipas Topallit, “formulimi i pikës 3 të kërkesës në lidhje me përbërjen e këtij komisioni, vjen në kundërshtim me ligjin e komisioneve hetimore”. “Raporti midis mazhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor dhe përbërjen e tij është kriter formal- juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje. Për këtë shkak, kërkesa iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim”, është fjala e Kryetares së Kuvendit. Përfaqësuesit e mazhorancës shprehën gatishmërinë për të asistuar grupin nismëtar për formulimin e kësaj pike në përputhje me ligjin, me qëllim që t’i hapet rruga sa më shpejt  ngritjes së Komisionit Hetimor. Më tej, konferenca diskutoi për datën e shqyrtimit në seancë plenare të kësaj nisme. Lidhur me këtë çështje, mendimet në konferencë u ndanë për datat 17 dhjetor dhe 23 dhjetor. Për këtë arsye i takon Kuvendit të Shqipërisë të caktojë datën e shqyrtimit në seancë. Kryetarja e Kuvendit ka bërë me dije në përfundim të mbledhjes se Konferenca e Kryetarëve do të rimblidhet sapo grupi nismëtar të plotësojë dhe korrigjojë kërkesën fillestare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›