Rama: Zvarritja e hetimit, një alibi për të vjedhur sërish votat
“Sali Berisha është fatura më e lartë e Shqipërisë”. Zgjedhjet e goditura në themel, refuzimi për të hetuar, përmbytjet e Shkodrës, janë sipas kreut socialist, Edi Rama, arsye qenësore për të përkufizuar pushtetin aktual dhe Kryeministrin e vendit si element endemik të krizave që kanë mbërthyer Shqipërinë. “Shumica e vjedhur nuk e do transparencën e zgjedhjeve që në fakt ju vë kufij vjedhjeve. Pengesa pas pengesash, alibi pas alibish, refuzime pas refuzimesh, që kriza politike të mos zgjidhet, që procesi politik të tërhiqet zvarrë pafundësisht, që pushteti të vazhdojë të shkatërrojë e plaçkitë Shqipërinë. Nuk e do ndryshimin e buxhetit për të ndryshuar të nesërmen e atyre që përmbyten padrejtësisht, sepse e padrejtë është qeveria dhe e dështuar është qeverisja, pasi kjo kufizon shiritat e ardhshëm elektoralë. Sigurisht nuk e do debatin për dështimin e madh në rrugën e integrimit, të cilin e shkaktoi Saliu, por e paguajnë përditë shqiptarët”, tha dje në një konferencë për shtyp, kreu i PS-së, Edi Rama. Ai ka reaguar pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, për të shtyrë shqyrtimin e propozimeve socialiste për zgjedhjet, edhe për rishikimin e buxhetit në funksion të përballimit të përmbytjeve të fundit në Shkodër. Të gjitha çështje që e kanë përqasur Partinë Socialiste në një bashkëpunim institucional për probleme thelbësore që kalon vendi. Në këtë vështrim, evoluimi i krizës politike sidomos në Shqipëri do parë në dy faza; e para kur PS e gjendur nën befasinë e humbjes elektorale nuk arriti të formulonte qartë aksionin e vet dhe në fazën e dytë, pas rezolutës së Parlamentit Europian, kur komuniteti ndërkombëtar “sanksionoi” një bazë të qëndrueshme negocimi, të cilën PS e ka shfrytëzuar me elasticitet të madh. Mbi këtë bazë, refuzimet e njëpasnjëshme të shumicës kanë aktualizuar kërkesën për largimin e qeverisë, të cilën e ka përsëritur edhe dje kreu socialiste, Edi Rama. “Padyshim jemi përditë e më të vendosur që ta kërkojmë largimin e domosdoshëm të kësaj qeverie që po rrënon ekonominë, që po rrënon demokracinë, se drejtësinë tashmë e ka rrënuar dhe po rrënon perspektivën europiane të këtij vendi dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Kjo e sotmja është vetëm një episod në një rrugë të mbrapshtë e pa krye ku ka kohë që ka hyrë qeveria e votave të vjedhura e ku kërkon t’i marrë me vete që të gjithë, pushteti i kutive të mbyllura”, tha ai. Largimi i Sali Berishës përkufizohet në shprehitë politike socialiste si eliminim i të gjitha shkaqeve që kanë çuar në nekrotizimin e sistemit institucional në Shqipëri, në asgjësimin e çdo premise morale në funksionimin e tij dhe në reduktimin malinj të raporteve ndërpolitike në një pazar, manifestimi më domethënës i të cilit mund të shihet edhe në ato çfarë ka publikuar opozita së fundmi. Përtej emetimit jo shumë këmbëngulës të PS të mesazheve për reagim dhe kërkesës për të larguar qeverinë, gjithsesi në thelbin e vet deklarativ, ajo e ka dhënë përmasën e vet politike si opozitë. Oferta e zgjidhjes së krizës me hetimin si e drejtë legjitime dhe parashtresa për rishikim të buxhetit për përmbytjet në Shkodër, pavarësisht paragjykimeve të ngritura ndaj këtij hapi, janë disa nga nismat që e kanë sjellë PS më pranë politikës së qytetarit. Një politikë e cila ka gjetur një shprehje të goditur te fjala e Ramës dje, i cili ka nënvizuar qartë se ky realitet mund të ndryshohet. “Ne jemi këtu për të dëshmuar se një Shqipëri tjetër është e mundur, se një rrugë tjetër jo vetëm është e mundur, por është e vetmja shpresë dhe se me një mënyrë dhe qasje tjetër për problemet e vendit që nga ekonomia e deri tek drejtësia, që nga zgjedhjet deri tek përmbytjet, jo vetëm që mund të zgjidhen, por mund të bëjnë që Shqipëria të bëhet europiane në të gjitha aspektet”, është shprehur ai.